
Një pajisje portative me komponentë me origjinë ruse dyshohet se lëshon energji radiofrekuence, mbi 1 500 zyrtarë amerikanë kanë raportuar simptoma neurologjike
Pentagoni po heton një pajisje misterioze që mund të lidhet me të ashtuquajturën Sindroma e Havanës, një gjendje e pashpjeguar që prej vitesh ka prekur diplomatë dhe oficerë inteligjence amerikanë në vende të ndryshme të botës.
Sipas raportimeve të CBS News, qeveria federale e Shteteve të Bashkuara ka siguruar në mënyrë diskrete këtë pajisje në fund të vitit 2024, gjatë javëve të fundit të administratës së ish-presidentit Joe Biden. Pajisja është blerë nga struktura e Hetimeve të Sigurisë Kombëtare, me financim nga Pentagoni, për një shumë që thuhet se ka kaluar shifrën e dhjetëra milionë dollarëve.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se pajisja është e lëvizshme, afërsisht sa një çantë shpine, dhe përmban komponentë me origjinë ruse. Ajo dyshohet se lëshon energji radiofrekuence dhe është testuar nga Pentagoni për më shumë se një vit, për të kuptuar nëse efektet e Sindromës së Havanës mund të riprodhohen artificialisht.
Sipas hetuesve, ekziston mundësia reale që simptomat e raportuara nga viktimat të shkaktohen nga një teknologji e tillë, çka do ta zhvendoste çështjen nga mister mjekësor në kërcënim të mundshëm sigurie.
Rasti i parë i Sindromës së Havanës u raportua në vitin 2016 në Havana, ku diplomatë dhe oficerë inteligjence amerikane raportuan probleme të papritura shëndetësore. Që prej asaj kohe, më shumë se 1 500 zyrtarë amerikanë kanë deklaruar simptoma të ngjashme, sipas burimeve të cituara nga media amerikane.
Gjendja shoqërohet me një sërë simptomash neurologjike, përfshirë dhimbje të forta koke, ndjesi presioni në kokë, marramendje, të përziera dhe zhurmë të vazhdueshme në veshë. Disa persona kanë raportuar edhe dëgjimin e një tingulli shumë të mprehtë, i cili zhdukej sapo largoheshin nga vendndodhja.
Autoritetet amerikane nuk kanë dhënë ende një përfundim zyrtar, por hetimi i kësaj pajisjeje shihet si një nga zhvillimet më serioze deri tani në përpjekjen për të zbardhur një nga enigmat më të errëta të dekadës së fundit në fushën e sigurisë dhe shëndetit diplomatik.
