
Kamerat e sigurisë tregojnë lëvizjen e parë pas arratisjes nga Spitali i Durrësit, policia humb gjurmët pasi mjeti hyn në kryeqytet
Policia ka zbardhur itinerarin fillestar të arratisjes së Altin Ndocit, 38-vjeçarit që u largua ditën e djeshme nga ambientet e Spitalit të Durrës, ku ndodhej për një vizitë mjekësore nën shoqërimin e efektivëve të policisë.
Sipas pamjeve të kamerave të sigurisë, menjëherë pasi ka dalë nga spitali, Ndoci është larguar me një automjet tip Audi, duke ndjekur një itinerar të qartë: fillimisht në zonën e Spitallës, më pas është shfaqur në Shënavlash dhe ka vijuar lëvizjen në autostradë, ku dyshohet se ka hyrë në Tiranë. Pas këtij momenti, gjurmët e tij humbin.
Nga verifikimet paraprake rezulton se 38-vjeçari kishte përfunduar procedurat mjekësore dhe kishte marrë trajtimin e nevojshëm, përpara se të ndërmerrte aktin e arratisjes. Burime policore bëjnë me dije se policia e Durrësit nuk ishte njoftuar paraprakisht nga Drejtoria e Burgjeve për këtë shoqërim, ndërsa njoftimi për arratisjen është dhënë menjëherë pasi Ndoci është larguar me automjetin Audi.
Altin Ndoci mbahej në paraburgim që prej muajit maj të vitit 2020 me urdhër të SPAK, i akuzuar për disa vrasje të bujshme që tronditën qytetin e Durrësit. Ai dyshohet si pjesë e grupit kriminal të njohur si Çopja dhe konsiderohet si organizator i atentateve mafioze.
Emri i tij lidhet me ekzekutimin e Anxhelo Avdisë dhe Dorjan Shkozës më 2 mars 2020, si dhe me vrasjen e vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia më 27 prill të po atij viti. Ndoci nuk është i panjohur për drejtësinë, pasi që në vitin 2015 ishte arrestuar për një sërë veprash penale, përfshirë armëmbajtje pa leje, mosbindje ndaj policisë dhe vjedhje, por kishte përfituar lirinë përmes procedurave ligjore.
Arratisja ndodhi në repartin e Infektivit, i cili ndodhet në një godinë të veçuar nga spitali kryesor. Personat e paraburgosur ekzaminohen në katin e tretë, një ambient që konsiderohet me standarde të larta sigurie. Ndoci, i cili ndodhej pa pranga brenda një dhome të ngjashme me qeli, ka kërkuar të shkojë në tualet. Në momentin që dera e hekurt është hapur, ai ka sulmuar dy efektivët që ruanin derën dhe është larguar me vrap drejt shkallëve.
Njëri prej policëve shoqërues ka qëlluar me armën e shërbimit në tokë në ambientet e jashtme për ta trembur, por Ndoci ka arritur të largohet dhe të hipë në automjetin që e priste. Policia vijon kontrollet intensive dhe operacionet për kapjen e tij, ndërsa rasti ka ngritur pikëpyetje serioze mbi protokollet e sigurisë gjatë shoqërimit të të paraburgosurve.