
I dënuar më parë për vjedhje, u kap nga policia brenda banesës ku kishte grabitur edhe armë gjahu e sende të tjera
Një 46-vjeçar ka rënë në prangat e policisë në Peqin, pasi u kap në flagrancë teksa tentonte të vidhte për herë të dytë në të njëjtën banesë, në lagjen Xhami.
Sipas policisë, i arrestuari, shtetasi A. R., banues në këtë lagje dhe i dënuar më parë për vjedhje, kishte hyrë sërish në banesën e shtetases E. T., ku dyshohet se pak kohë më parë kishte vjedhur një armë gjahu dhe disa sende të tjera me vlerë.
Pas marrjes së njoftimit për vjedhje, shërbimet e Komisariatit të Policisë Peqin organizuan menjëherë ndërhyrjen dhe shkuan në adresën e dhënë, duke e kapur autorin në flagrancë brenda banesës.
Gjatë kontrollit fizik, policia i gjeti 46-vjeçarit një mjet prerës, darë, që dyshohet se përdorej për të kryer vjedhjet. Ndërsa gjatë kontrollit në banesën e tij u sekuestruan arma e gjahut dhe sendet e vjedhura më herët, të cilat u morën në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme ligjore.
Policia thekson se veprimet e shpejta operacionale bënë të mundur parandalimin e një tjetër vjedhjeje dhe kapjen e autorit, ndërsa hetimet vijojnë për të verifikuar nëse 46-vjeçari është i përfshirë edhe në raste të tjera të ngjashme në zonë.