
Dokumentet e FARA zbulojnë një strategji presioni ndaj institucioneve amerikane me akuza të paprovuara kundër SPAK-ut dhe prokurorit të çështjes
Dokumentet zyrtare të publikuara në Shtetet e Bashkuara pranë Foreign Agents Registration Act hedhin dritë mbi një fushatë të kushtueshme lobimi të ndërmarrë nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, me synim diskreditimin e drejtësisë shqiptare dhe ushtrimin e presionit ndërkombëtar kundër hetimeve të SPAK.
Sipas dokumenteve, vetëm gjatë vitit 2025 janë shpenzuar rreth 220 mijë dollarë për shërbime lobimi dhe PR-i në SHBA dhe Europë, të kontraktuara nga Arbër Veliaj, vëllai i kryebashkiakut. Aktiviteti është kryer kryesisht nga studioja ligjore amerikane Kasowitz Benson Torres dhe ajo britanike Mishcon de Reya.
Në qendër të kësaj fushate është një letër e dërguar më 23 prill 2025 senatorit amerikan Dick Durbin, ku Veliaj e paraqet veten si viktimë të një persekutimi të krahasueshëm me praktikat e regjimit komunist në Shqipëri. Në letër, ai kërkon ndërhyrje politike dhe mbështetje publike kundër veprimeve të drejtësisë shqiptare.
Materialet e depozituara në FARA tregojnë se lobimi është përqendruar në dërgimin e dhjetëra emaileve dhe mesazheve te senatorë, kongresmenë, Departamenti i Shtetit dhe Departamenti i Drejtësisë, si dhe në organizimin e takimeve dhe telefonatave me përfaqësues politikë amerikanë. Në këto komunikime përsëriten akuza të paprovuara ndaj prokurorit të çështjes, Ols Dado, i cili paraqitet pa fakte si person në konflikt interesi apo i lidhur politikisht me opozitën.
Një element tjetër i rëndësishëm i fushatës ka qenë përfshirja e artikujve mediatikë në mbrojtje të Veliajt, të publikuar në media periferike ndërkombëtare dhe më pas të ripublikuara gjerësisht në Shqipëri. Këto shkrime kanë vënë në dyshim procesin penal ndaj tij dhe kanë folur për paraburgim të padrejtë, pa paraqitur prova konkrete apo burime të verifikueshme.
Ndërkohë, drejtësia shqiptare ka vlerësuar të ligjshme masën e arrestit ndaj Veliajt në të tre shkallët e gjyqësorit. Ai është arrestuar në shkurt të vitit 2025 me akuzat për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, në një dosje ku të përfshirë janë edhe bashkëshortja e tij Ajola Xoxa, ish-deputetja Klotilda Bushka dhe disa biznesmenë e bashkëpunëtorë.
Dokumentet e FARA ngrenë pikëpyetje serioze mbi burimin e fondeve të përdorura për lobimin dhe mbi përdorimin e një strategjie ndërkombëtare presioni politik për të minuar besimin te institucionet e drejtësisë në Shqipëri, në një moment kyç për luftën kundër korrupsionit dhe për raportet e vendit me partnerët perëndimorë.