
Reaktori i parë bërthamor në sipërfaqen hënore pritet të sigurojë energji të qëndrueshme për misione afatgjata dhe prani të vazhdueshme njerëzore
NASA dhe Departmenti i Energjisë kanë konfirmuar zyrtarisht angazhimin e tyre për zhvillimin dhe funksionimin e një reaktori bërthamor me ndarje bërthamore në Hënë deri në vitin 2030, një hap që konsiderohet historik për eksplorimin hapësinor dhe sigurinë energjetike në misionet jashtëtokësore.
Sipas njoftimit zyrtar, bashkëpunimi synon ndërtimin e një sistemi energjetik bërthamor në sipërfaqen hënore, i aftë të prodhojë energji elektrike të bollshme, të sigurt dhe të qëndrueshme për vite me radhë, pa nevojë furnizimi të vazhdueshëm me karburant. Ky reaktor do të mundësojë funksionimin e bazave hënore edhe në kushte ekstreme, kur mungon rrezatimi diellor dhe temperaturat janë jashtëzakonisht të ulëta.
Zyrtarët amerikanë theksojnë se energjia bërthamore shihet si zgjidhja më e besueshme për misionet afatgjata në Hënë dhe më tej, pasi panelet diellore nuk garantojnë furnizim konstant në ciklet e gjata të natës hënore. Reaktori do të mbështesë jetesën e astronautëve, kërkimin shkencor, komunikimin, si dhe teknologjitë kritike për eksplorim të thelluar.
Sekretari amerikan i Energjisë, Chris Wright, deklaroi se ky projekt përfaqëson vazhdimësinë e lidershipit amerikan në shkencë dhe inovacion, duke e cilësuar atë si një hap drejt fronteve të reja që deri pak kohë më parë konsideroheshin të pamundura.
Projekti përfshin faza të detajuara të zhvillimit teknologjik, autorizimit, sigurisë dhe transportit të sistemit bërthamor në Hënë. Sipas burimeve zyrtare, bëhet fjalë për misionin e parë të këtij lloji pas më shumë se 50 vitesh, me ndikim të drejtpërdrejtë jo vetëm në eksplorimin hapësinor, por edhe në interesat strategjike dhe të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.
Autoritetet amerikane shprehen të bindura se ky reaktor do të shërbejë si model për misione të ardhshme drejt Marsit dhe objekteve të tjera qiellore, duke hapur një epokë të re të energjisë bërthamore në hapësirë.