
Një 42-vjeçar mbetet i plagosur dhe përfundon në spital, policia ndërhyn për të shmangur përshkallëzimin e situatës
Një konflikt i dhunshëm mes dy personave në fshatin Gomsiqe të Velipojës ka përfunduar me arrestimin e një 47-vjeçari dhe sekuestrimin e një arme zjarri, falë ndërhyrjes së shpejtë të policisë.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë përplasjes është dëmtuar shtetasi F. K., 42 vjeç, i cili është transportuar menjëherë në Spitalin Rajonal të Shkodrës, ku po merr trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e policisë, pas marrjes së njoftimit për konfliktin, kanë ndërhyrë në kohë duke neutralizuar situatën dhe arrestuar shtetasin N. S., 47 vjeç, i dyshuar si autor i konfliktit, i cili sipas hetimeve paraprake dyshohet se ka vepruar për motive të dobëta.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, policia ka gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri pistoletë, të cilën 47-vjeçari e mbante pa leje.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme ligjore, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë.