
Mbrojtja pretendon se pas 28 vitesh veprimtarie publike, kreu i Partisë së Lirisë nuk zotëron asnjë pronë dhe se procesi ndaj tij është i pambështetur në prova
Avokatët e Ilir Meta kanë bërë publike një analizë financiare që, sipas tyre, tregon se ish-presidenti i Republikës nuk zotëron asnjë pasuri të luajtshme apo të paluajtshme dhe nuk ka të ardhura të fshehura për periudhën 1995–2023.
Deklaratat u bënë gjatë një konference për shtyp, ku avokati Kujtim Cakrani paraqiti dokumentacionin financiar, duke theksuar se Meta është paragjykuar publikisht për pasuri që, sipas mbrojtjes, nuk ekzistojnë. Sipas tij, pasuria e Metës rezulton zero dhe çdo pretendim për pasuri të pajustifikuar është i pabazuar.
Nga paraburgimi “Jordan Misja”, ku ndodhet prej më shumë se një viti, Meta ka reaguar përmes një deklarate të lexuar nga Tedi Blushi, duke e cilësuar procesin penal ndaj tij si një farsë gjyqësore dhe të ndërtuar mbi të pavërteta. Ai ka mohuar akuzat që lidhen me çështjet CEZ DIA, lobimin në SHBA dhe fshehjen e pasurisë.
Sipas mbrojtjes, pas tetë vitesh hetime nga SPAK, nuk ekziston asnjë provë penale që vërteton akuzat ndaj tij. Avokatët shtuan se të ardhurat e ligjshme të Metës për periudhën e analizuar arrijnë mbi 87 milionë lekë të reja, pa përfshirë pagesat si deputet dhe si ish-president.
Mbrojtja ka kërkuar zëvendësimin e masës së sigurisë, duke argumentuar se paraburgimi ka tejkaluar standardet minimale të shtetit të së drejtës. Sipas tyre, mënyra se si po trajtohet Meta është tregues i problemeve serioze në funksionimin e drejtësisë dhe cenon të drejtat themelore të njeriut.
Avokatët kanë paralajmëruar se do të vijojnë betejën ligjore në të gjitha instancat, duke këmbëngulur se çështja duhet të gjykohet mbi prova dhe jo mbi perceptime apo presion publik.