
Dhjetë vite pas një aksidenti tragjik që i la shenja të pashlyeshme në fytyrë dhe i kushtoi dorën e majtë, Samuel Vincent-Couillard, një ish-pilot kanadez, nuk ka hequr dorë nga ëndrra që e ka ndjekur gjithmonë: të rikthehet në kabinën e pilotimit të një avioni Cessna.
Në moshën 35-vjeçare, Samuel është rikthyer në aeroportin e Québec-ut, për herë të parë që nga 19 shtatori 2015, dita kur një helikë avioni në lëvizje e goditi në fytyrë dhe në kokë, duke e lënë në koma dhe duke i prerë katër gishta të dorës. Ai rrëfen këtë përvojë tronditëse në librin e tij të parë, “Helika që ndali kohën”, shkruar nga ish-partnerja dhe mikja e tij Jessica Poulun.

Në kohën e aksidentit, Samuel ishte vetëm pak orë larg përfundimit të trajnimit për t’u bërë pilot privat. “Ishte një ditë e bukur, diell i plotë. Ishim kthyer nga Montmagny dhe gjithçka shkonte mirë,” -kujton ai. Por pasi miku i tij ndaloi avionin, Samuel zbriti dhe u vendos në një pozicion fatalisht të rrezikshëm përballë helikës që vazhdonte të rrotullohej.
“Ende nuk di pse dola nga kabina… ndoshta doja të vendosja shufrën e tërheqjes, ndoshta të rregulloja diçka. Por është një mister,” -thotë ai.
Pas aksidentit, ai kaloi dy javë në koma, i paaftë të fliste apo të kuptonte. Nuk njihte as prindërit, nuk gjente dot emrin e tij dhe nuk arrinte të vizatonte as një rreth. “Isha i bindur që isha në një vend tjetër, se kisha bërë diçka të rëndë,” -rrëfen ai.
Procesi i rehabilitimit ishte jashtëzakonisht i vështirë: humbje dëgjimi në veshin e majtë, dëmtim i të folurit, mungesë përqendrimi, fytyrë e transformuar dhe një dorë e humbur. Por falë forcës së karakterit dhe mbështetjes nga Jessica dhe miqtë, ai arriti të marrë veten dalëngadalë.
Në dhjetor të vitit të kaluar, falë donacioneve private, Samuel arriti të pajiset me një dorë bionike të teknologjisë së fundit, me vlerë rreth 100 mijë dollarë, të cilën e mori në Ohio, SHBA, pasi sigurimet shëndetësore publike nuk e mbuluan koston.
Sot, Samuel mban konferenca motivuese në të gjithë Kanadanë dhe shpreson të udhëtojë edhe në SHBA për të ndarë historinë e tij. Ai e sheh të ardhmen me optimizëm dhe nuk ka ndërmend të ndalet, përkundrazi: synon që një ditë të udhëtojë drejt këtyre konferencave me avionin e tij Cessna.
“Unë nuk jam viktimë. Jam i gjallë. Dhe do të fluturoj sërish.”
Libri “Helika që ndali kohën” del në libraritë kanadeze më 17 shtator 2025, dhe pritet të jetë një dëshmi e jashtëzakonshme e forcës njerëzore, guximit dhe dashurisë për jetën.