
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve deklaron se nuk u informua për vizitën mjekësore, pezullon zinxhirin komandues dhe ndalon disa punonjës
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka reaguar zyrtarisht pas arratisjes së të paraburgosurit Altin Ndoci nga Spitali Rajonal i Durrësit, duke hedhur përgjegjësinë mbi Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Durrës për shkelje të rënda të protokolleve të sigurisë.
Sipas deklaratës zyrtare, Altin Ndoci ishte i akomoduar në IEVP Durrës që prej majit të vitit 2020, me masë sigurimi arrest me burg, i dyshuar për vepra penale shumë të rënda, përfshirë vrasje në rrethana cilësuese, organizatë kriminale dhe armëmbajtje pa leje, me vendime të përsëritura të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Më 13 janar 2026, pas një konsultë me mjekun e institucionit, Ndoci u dërgua për vizitë mjekësore në Spitalin Rajonal Durrës. Vizita ishte planifikuar për t’u kryer dhe përfunduar brenda së njëjtës ditë. Gjatë qëndrimit në pavionin infektiv, pas marrjes së trajtimit dhe një rekomandimi për rikontroll, Ndoci ka kërkuar të shkojë në tualet. Në këtë moment, ai ka kundërshtuar dhe ka goditur punonjësit e Policisë së Burgjeve, duke përfituar nga situata për t’u arratisur.
Nga verifikimet paraprake rezulton se IEVP Durrës nuk ka informuar Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe as Komisariatin e Policisë Durrës për planifikimin dhe realizimin e vizitës mjekësore, në kundërshtim me aktet nënligjore në fuqi. Gjithashtu, nuk janë respektuar procedurat standarde të shoqërimit për persona të paraburgosur dhe të dënuar.
Si pasojë, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, është pezulluar i gjithë zinxhiri komandues i IEVP Durrës, përfshirë drejtuesit, shefat e policisë së burgjeve, stafin shëndetësor dhe disa punonjës të shoqërimit. Paralelisht, në bashkëpunim me Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm dhe Prokurorinë e Durrësit, është vendosur ndalimi i disa punonjësve të Policisë së Burgjeve dhe stafit shëndetësor të përfshirë në rast.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve bën me dije se po vijon marrjen e të gjitha masave ligjore dhe administrative, si dhe forcimin e protokolleve të sigurisë në të gjitha institucionet penitenciare të vendit, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes janë në vijim.