
Pamjet kaotike nga vendngjarja u përhapën në rrjet, ndërsa autoritetet federale paralajmërojnë arrestime për këdo që pengon operacionet e emigracionit
Një incident i rëndë është regjistruar në Minesota gjatë protestave kundër agjencisë amerikane të emigracionit ICE, ku një grua është nxjerrë me forcë nga makina dhe është hedhur në tokë nga agjentë federalë, mes tensioneve të shtuara pas vrasjes së Renee Good.
Sipas raportimeve, gruaja e paidentifikuar dyshohet se po bllokonte operacionet e ICE, duke penguar lëvizjen e agjentëve që po kryenin arrestime të emigrantëve pa dokumente. Pamjet filmike tregojnë momentin kur ajo tërhiqet zvarrë nga dera e makinës, ndërsa përpiqet të mbajë rripin e sigurimit dhe bërtet se është me aftësi të kufizuara dhe po shkonte për vizitë mjekësore.
Agjentët, të pajisur me maska dhe syze për të fshehur identitetin, e neutralizuan gruan dhe e prangosën, ndërsa protestuesit përreth reaguan me thirrje dhe akuza për përdorim të tepruar force. Videoja ka nxitur reagime të forta në rrjetet sociale dhe ka rihapur debatin mbi mënyrën e ndërhyrjes së autoriteteve federale gjatë protestave.
Ngjarja vjen vetëm pak ditë pas vrasjes së Renee Nicole Good, 37 vjeçe, e cila u qëllua për vdekje nga një agjent i ICE gjatë një proteste të ngjashme në Mineapolis. Autoritetet federale kanë deklaruar se Good përbënte rrezik për jetën e agjentëve, ndërsa familjarët dhe aktivistët e të drejtave civile e kundërshtojnë këtë version.
Sipas ICE, vetëm në pesë ditët e fundit janë arrestuar rreth 60 persona në Minesota për pengim ose sulm ndaj agjentëve federalë. Ndërkohë, protestat kundër politikave të emigracionit janë përhapur edhe në qytete të tjera amerikane, përfshirë Nju Jorkun, Uashingtonin dhe Los Anxhelosin.
Autoritetet federale paralajmërojnë se do të vazhdojnë operacionet dhe arrestimet, ndërsa përfaqësues lokalë dhe aktivistë flasin për përshkallëzim të krizës dhe rritje të tensioneve sociale në mbarë vendin.