
E njohur si Sneaker Goddess, ajo vuante nga probleme të zemrës dhe kishte kaluar vite të vështira mes borxheve, depresionit dhe presionit publik
Influencerja kineze e modës Zhang Chun, e njohur në rrjetet sociale me emrin Ni De Du Kou, ka ndërruar jetë papritur në moshën 29-vjeçare. Lajmi u konfirmua nga nëna e saj pas ceremonisë mortore, e cila deklaroi se vdekja ishte e menjëhershme dhe e papritur.
Sipas familjarëve, Zhang vuante nga një problem i mëparshëm në zemër dhe kishte një stil jetese të lodhshëm, përfshirë orare të zgjatura pa gjumë, faktorë që dyshohet se kanë ndikuar rëndë në shëndetin e saj. Ajo u ndje keq në orët e para të 1 janarit dhe u transportua me urgjencë në spital, por mjekët nuk arritën ta shpëtonin.
Zhang Chun u bë e famshme në vitin 2018, pasi nisi të publikonte foto me atlete të ndryshme të kombinuara me veshje urbane, duke fituar shpejt nofkën Sneaker Goddess. Imazhi i saj i pastër dhe stili studentor e bënë një nga figurat më të dalluara në skenën e modës dhe streetwear në Kinë, duke grumbulluar mbi një milion ndjekës.
Më pas ajo u përfshi edhe në botën e argëtimit, duke performuar në evente të shumta hip-hop. Megjithatë, karriera e saj pësoi një goditje të fortë pasi marka e modës që kishte krijuar dështoi, duke e lënë me borxhe të mëdha financiare. Në këtë periudhë, sipas raportimeve, ajo vuajti nga depresioni.
Situata u përkeqësua në vitin 2024, kur Zhang vendosi të bashkohej me një platformë për përmbajtje për të rritur, me qëllim shlyerjen e borxheve. Ky vendim shkaktoi reagime të ashpra nga ndjekësit, humbje të konsiderueshme audience dhe sulme të forta online.
Një vit më parë, gjatë një transmetimi live, ajo shpërtheu në lot dhe zbuloi se ishte diagnostikuar me sifiliz, duke treguar edhe problemet e rënda shëndetësore që po përjetonte, përfshirë dëmtime serioze në lëkurë.
Zhang Chun u krematua në Shangai të hënën, ndërsa vdekja e saj ka rikthyer debatin mbi presionin ekstrem të rrjeteve sociale, shëndetin mendor dhe çmimin e famës në botën e influencerëve.