
Në Hagë ka nisur sot dëshmia e diplomatit amerikan James Rubin, në kuadër të procesit gjyqësor kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Rubin, i cili ka shërbyer si zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit gjatë viteve ’90 dhe ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt në zhvillimet diplomatike të kohës së luftës në Kosovë, pritet të japë një pasqyrë mbi rolin e faktorit ndërkombëtar në atë periudhë.
Seanca e sotme është pjesë e procesit gjyqësor ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Dëshmia e Rubin konsiderohet e rëndësishme pasi ai ka qenë dëshmitar i ngjarjeve kyçe gjatë negociatave dhe ndërhyrjes ndërkombëtare në konfliktin e Kosovës.
Avokatët e mbrojtjes pritet të kërkojnë që dëshmia e tij të shërbejë si kontekst për të kuptuar rrethanat në të cilat vepronte UÇK-ja, ndërkohë që prokuroria e Gjykatës Speciale e sheh atë si pjesë të provave për të ndërtuar panoramën e gjerë të luftës.
Procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së po ndiqet nga afër nga publiku në Kosovë dhe në rajon, pasi konsiderohet si një prej gjykimeve më të rëndësishme që lidhen me luftën e fundit në Ballkan.