
Ministria e Drejtësisë merr masa pas skandalit në spital, arrestohen dhe pezullohen disa zyrtarë të Policisë së Burgjeve për shkelje të rënda të procedurave
Ministria e Drejtësisë ka shkarkuar nga detyra drejtorin e Burgut të Durrësit, Indrit Cerloj, pas arratisjes së të paraburgosurit Altin Ndoci nga Spitali Rajonal i Durrësit. Vendimi vjen si pasojë e shkeljeve të rënda administrative dhe procedurale të konstatuara gjatë shoqërimit të Ndocit për vizitë mjekësore.
Sipas burimeve zyrtare, Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale Durrës nuk kishte njoftuar Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe as Policinë e Shtetit për itinerarin e shoqërimit të të paraburgosurit, duke vepruar në kundërshtim me rregullat në fuqi për sigurinë dhe kontrollin e personave me rrezikshmëri të lartë.
Në vijim të hetimeve, janë arrestuar dhe ndaluar disa punonjës të Policisë së Burgjeve, mes tyre zëvendësshefi i policisë së burgut, Dezdemon Pazaj, si dhe kryeinfermieri Aulon Quku. Ata dyshohet se kanë kryer shkelje të rënda të detyrës gjatë procesit të shoqërimit dhe qëndrimit të Ndocit në ambientet e spitalit.
Arratisja e Altin Ndocit ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik dhe ka vënë në pikëpyetje standardet e sigurisë në sistemin penitenciar. Ministria e Drejtësisë ka bërë të ditur se po vijon hetimi administrativ dhe penal për të gjithë zinxhirin përgjegjës, ndërsa janë paralajmëruar masa shtesë për forcimin e protokolleve të sigurisë në burgje dhe gjatë shoqërimeve mjekësore.