
Prokuroria e Padovës heton për rrëmbim personi, vajza u filmua nga kamerat e sigurisë me dy pica për t’u marrë me vete
Janë publikuar pamjet e fundit të 22-vjeçares Annabella Martinelli, e zhdukur prej tetë ditësh nga zona e Padovës, ndërsa autoritetet italiane kanë intensifikuar kërkimet dhe hetimet. Studentja është filmuar tri herë nga kamerat e sigurisë mbrëmjen e 6 janarit, gjatë lëvizjes së saj me biçikletë drejt zonës kodrinore të Teolos.
Sipas të dhënave zyrtare, Annabella është parë për herë të parë rreth orës 22:18 në një pikë karburanti në Selvazzano Dentro, më pas në orën 22:54 pranë bashkisë së Teolos dhe në 23:06 nga kamerat e një impianti në Villa di Teolo. Këto pamje përfaqësojnë gjurmët e fundit të saj të konfirmuara.
Në regjistrime, vajza shfaqet mbi biçikletën e saj ngjyrë vjollcë, me një çantë shpine të kuqe dhe e veshur me xhinse dhe një xhaketë të zezë me kapuç. Në pjesën e pasme të biçikletës duken dy kuti picash, të cilat dyshohet se i kishte marrë rreth orës 22:00. Biçikleta është gjetur më vonë e mbyllur me çelës jo shumë larg vendit të fundit ku ajo është filmuar.
Prokuroria e Padova ka hapur zyrtarisht një procedim penal për rrëmbim personi ndaj autorëve të panjohur, një hap që synon të zgjerojë fushën e hetimeve. Ky vendim u jep mundësi hetuesve të analizojnë jo vetëm tabulatet telefonike, por edhe veprime të dyshimta në rrjetet sociale, përfshirë mbylljen e faqeve online të 22-vjeçares pas zhdukjes.
Annabella Martinelli, studente e drejtësisë në Bolonjë dhe banuese në Teolo, nuk ka dhënë më asnjë shenjë jete që nga ajo mbrëmje. Familjarët dhe autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve që të raportojnë çdo informacion që mund të ndihmojë në zbardhjen e fatit të saj, ndërsa hetimet vijojnë pa ndërprerje.