
Pas arratisjes së Altin Ndocit, autoritetet vendosin masa të forta sigurie dhe zhvendosin të paraburgosurit me profil të lartë rreziku
Pas arratisjes së bujshme të Altin Ndocit mesditën e djeshme, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka nisur menjëherë transferimin e disa të paraburgosurve nga IEVP Durrës drejt Burgut të Fierit.
Burime zyrtare bëjnë me dije se bëhet fjalë vetëm për persona të konsideruar me rrezikshmëri të lartë, të cilët nuk do të qëndrojnë më në institucionin e Durrësit, pasi ky i fundit nuk klasifikohet si burg i sigurisë së lartë. Vendimi është marrë në kuadër të rritjes së masave të sigurisë dhe parandalimit të ngjarjeve të ngjashme në të ardhmen.
Sipas të njëjtave burime, transferimet nuk përfshijnë zyrtarë apo persona të arrestuar për vepra penale që lidhen me korrupsionin apo abuzimin me detyrën, por vetëm individë që paraqesin rrezik të shtuar për sigurinë.
Autoritetet penitenciare po kryejnë një verifikim të plotë të procedurave të sigurisë në IEVP Durrës, ndërsa pritet që masa të tjera administrative dhe disiplinore të merren në ditët në vijim, në funksion të forcimit të kontrollit dhe rikthimit të besimit në sistemin e burgjeve.
