
Parisi, Berlini dhe Stokholmi dërgojnë personel ushtarak në një mision njohës për të mbështetur Danimarkën, mes tensioneve me SHBA-në dhe deklaratave të Donald Tramp
Franca do të marrë pjesë në një mision ushtarak evropian në Groenlandë, së bashku me disa shtete të tjera të Evropës, në mbështetje të Danimarkë. Lajmi është konfirmuar nga burime të ushtrisë franceze, sipas raportimeve të AFP, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi përmasat e angazhimit.
Misioni parashikohet të zhvillohet nga e enjtja deri të shtunën dhe përshkruhet si një operacion njohës, me qëllim vlerësimin e kushteve për një prani të mundshme ushtarake evropiane në rajon. Iniciativa vjen në një moment tensionesh të shtuara, pas deklaratave dhe paralajmërimeve të presidentit amerikan Donald Tramp lidhur me Groenlandën.
Gjermania dhe Suedia njoftuan se do të dislokojnë personel ushtarak në ishullin arktik, në kuadër të këtij misioni, me synimin për të shqyrtuar kontributet e mundshme në sigurinë rajonale. Ministria gjermane e Mbrojtjes bëri të ditur se një ekip njohës prej 13 anëtarësh të Bundeswehr do të dërgohet në Nuuk, kryeqytetin e Groenlandës.
Sipas Berlinit zyrtar, fokusi i misionit do të jetë vlerësimi i kapaciteteve për mbikëqyrjen detare dhe garantimin e sigurisë në Arktik, në një zonë që po fiton gjithnjë e më shumë rëndësi strategjike dhe gjeopolitike. Mbështetja për Danimarkën shihet si element kyç i këtij koordinimi evropian.
Angazhimi i Francës dhe vendeve të tjera evropiane sinjalizon një përpjekje të përbashkët për të forcuar praninë dhe bashkëpunimin ushtarak në Arktik, ndërsa Groenlanda mbetet në qendër të vëmendjes ndërkombëtare për shkak të pozicionit të saj strategjik dhe tensioneve në rritje mes fuqive të mëdha.
