
Operacioni Cargo i Policisë së Tiranës çon në sekuestrimin e lëndës narkotike me vlerë rreth 60 mijë euro, që dyshohet se do të shpërndahej në Krujë dhe Tiranë
Policia e Tiranës ka goditur një tjetër rast të trafikimit të lëndëve narkotike, duke arrestuar në flagrancë një 52-vjeçar që po transportonte 60 kilogramë kanabis me automjetin e tij, me qëllim shitjen.
Sipas njoftimit zyrtar, në kuadër të operacionit policor të koduar Cargo, i finalizuar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Seksionin e Forcës së Posaçme Operacionale, u arrestua shtetasi A. M., banues në Krujë.
Gjatë kontrollit të automjetit, i ndaluar në fshatin Luz të Fushë-Krujës, shërbimet e Policisë gjetën 6 thasë me lëndë të dyshuar cannabis sativa, me peshë totale 60 kilogramë. Nga hetimet paraprake dyshohet se sasia e drogës, me vlerë të përllogaritur rreth 60 mijë euro, do të shitej në doza të vogla në qytetin e Krujës dhe në Tiranë.
Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin dhe një telefon celular. Ndërkohë, hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, për veprën penale Prodhimi dhe shitja e narkotikëve.
