
Byroja Kombëtare e Hetimit kërkon drejtues të ri për Shërbimet e Policisë Gjyqësore, aplikimet pranohen deri më 22 janar 2026
Byroja Kombëtare e Hetimit ka shpallur zyrtarisht hapjen e konkursit për pozicionin e Zëvendësdrejtorit, një funksion drejtues që do të mbushet ekskluzivisht nga radhët e hetuesve aktualë të institucionit.
Sipas njoftimit zyrtar, Zëvendësdrejtori do të ketë rol kyç në funksionimin e Shërbimeve të Policisë Gjyqësore, administrimin e burimeve njerëzore dhe mbikëqyrjen e veprimtarisë së personelit, veçanërisht në rastet kur Drejtori i BKH-së mungon.
Kandidatët duhet të jenë hetues aktivë të BKH-së, të mos kenë masa disiplinore në fuqi dhe të kenë minimumi tre vite përvojë në hetimin e korrupsionit, krimit të organizuar ose veprave penale të rënda. Po ashtu, kërkohen aftësi të theksuara drejtuese, integritet profesional dhe etikë e lartë. Njohja e gjuhës angleze vlerësohet si avantazh gjatë procesit të përzgjedhjes.
Afati për dorëzimin e dokumentacionit përfundon më 22 janar 2026. Dosja e aplikimit duhet të përmbajë kërkesën për aplikim, jetëshkrimin, vlerësimin e fundit të performancës si dhe certifikatën e njohjes së gjuhës angleze. Aplikimet dorëzohen fizikisht pranë Drejtorisë së Burimeve Njerëzore të BKH-së.
Procesi i përzgjedhjes do të kryhet nga Drejtori i BKH-së në bashkëpunim me Drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme, duke u bazuar në dokumentacionin e paraqitur, rezultatet profesionale dhe përputhshmërinë me kriteret ligjore. Kandidatët e përzgjedhur do të njoftohen zyrtarisht nga Drejtoria e Burimeve Njerëzore dhe Dokumentacionit.
Ky konkurs synon forcimin e strukturave drejtuese dhe rritjen e efektivitetit të hetimeve të zhvilluara nga Byroja Kombëtare e Hetimit.
