
Zjarri shpërtheu në lagjen nr. 13, viktima jetonte e vetme dhe dyshohet se ka ndërruar jetë nga asfiksia
Një ngjarje e rëndë është regjistruar paraditen e së enjtes në Korçë, ku një e moshuar ka humbur jetën pas përfshirjes së banesës së saj nga flakët.
Sipas informacioneve paraprake, rreth orës 09:10, në lagjen nr. 13 të qytetit ka rënë zjarr në banesën e shtetases F. P., rreth 73 vjeçe. Si pasojë e tymit dhe asfiksisë, e moshuara ka ndërruar jetë brenda banesës.
Burime zyrtare bëjnë me dije se viktima jetonte e vetme. Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe zjarrfikëses, të cilat kanë ndërhyrë për shuarjen e flakëve dhe sigurimin e zonës.
Grupi hetimor po punon për të zbardhur shkaqet e zjarrit, ndërsa materialet procedurale do t’i referohen prokurorisë për veprime të mëtejshme.
