
Intervistat do të zhvillohen, por vizat nuk do të lëshohen deri në një njoftim të dytë, ndërsa vizat turistike dhe të biznesit nuk preken
Ambasada e SHBA-së në Tiranë ka reaguar zyrtarisht për të sqaruar qytetarët shqiptarë lidhur me vendimin e administratës amerikane për pezullimin e përkohshëm të vizave emigruese, ku Shqipëria përfshihet në listën e vendeve të prekura.
Sipas njoftimit, duke nisur nga data 21 janar 2026, Departamenti Amerikan i Shtetit do të pezullojë lëshimin e të gjitha vizave emigruese për shtetasit e 75 vendeve, mes tyre edhe Shqipëria. Ky vendim lidhet me një rishikim të gjerë të politikave të emigracionit, me synim që emigrantët të jenë financiarisht të vetë-mjaftueshëm dhe të mos përbëjnë barrë për sistemin amerikan.
Ambasada sqaron se aplikantët shqiptarë që kanë tashmë një datë të caktuar për intervistë do të paraqiten normalisht dhe procedurat do të vijojnë, por viza emigruese nuk do të lëshohet deri në një njoftim të dytë nga autoritetet amerikane. Po ashtu, Departamenti i Shtetit do të vazhdojë të caktojë takime të reja për intervista, edhe gjatë periudhës së pezullimit.
Në reagim theksohet qartë se ky vendim nuk prek vizat joemigruese, si ato turistike apo të biznesit. Qytetarët që dëshirojnë të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara për turizëm apo çështje biznesi nuk preken nga ky pezullim.
Një tjetër sqarim i rëndësishëm lidhet me përjashtimet nga vendimi. Shtetasit me dyshtetësi, të cilët aplikojnë me pasaportë të një vendi që nuk është në listën e pezullimit, nuk përfshihen në këtë masë. Gjithashtu, asnjë vizë emigruese e vlefshme aktualisht nuk është revokuar si pjesë e këtij udhëzimi.
Në njoftim përmendet se vendimi është në përputhje me qëndrimin e presidentit Donald Tramp, i cili ka theksuar se emigrantët duhet të kenë mundësi financiare për të përballuar jetesën në SHBA dhe të mos varen nga ndihmat publike.
Ambasada u bën thirrje aplikantëve që për çdo paqartësi të ndjekin njoftimet zyrtare dhe të referohen te institucionet amerikane përkatëse, pasi situata mund të ndryshojë në varësi të vendimeve të reja të administratës amerikane.
