
E reja ishte raportuar e zhdukur më 6 janar, hetimet paraprake tregojnë se nuk ka shenja për përfshirje të personave të tjerë
Është gjetur pa jetë një 22-vjeçare nga Padova, e cila ishte shpallur e zhdukur prej datës 6 janar. Trupi i saj u lokalizua në një zonë të pyllëzuar në Colli Euganei, jo shumë larg vendit ku më herët ishte gjetur biçikleta e saj.
Sipas autoriteteve italiane, pranë trupit janë gjetur sende personale dhe disa shënime, ndërsa hetimet paraprake nuk kanë zbuluar elementë që të çojnë drejt përgjegjësisë së personave të tjerë. Prokuroria ka bërë me dije se hipoteza kryesore mbetet ajo e vetëvrasjes, por përgjigjja përfundimtare pritet nga autopsia, e cila do të kryhet në ditët në vijim.
Burime hetimore shprehen se ka gjasa që e reja të ketë humbur jetën që në ditën e zhdukjes së saj. Zona ku u gjet trupi ishte e vështirë për t’u kontrolluar dhe nuk ishte inspektuar më herët në mënyrë të detajuar gjatë kërkimeve.
Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal dhe autoritetet rajonale kanë shprehur ngushëllime për familjen e vajzës, duke falënderuar njëkohësisht forcat e rendit, ekipet e kërkim-shpëtimit dhe qytetarët që u angazhuan në kërkime gjatë ditëve të zhdukjes së saj.
Hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes.
