
Debbie Rowe, 67 vjeçe, ka jetuar larg vëmendjes publike prej vitesh, ndërsa rikthehen spekulimet rreth origjinës biologjike të fëmijëve të ikonës së popit
Debbie Rowe, ish-bashkëshortja e Michael Jackson, ka zgjedhur të jetojë në heshtje dhe larg vëmendjes mediatike prej më shumë se dy dekadash pas divorcit të bujshëm nga këngëtari. Së fundmi, interesimi publik është rikthyer pas publikimeve që hedhin sërish dyshime mbi atë se kush ishte në të vërtetë babai biologjik i fëmijëve të tij.
Rowe, ish-infermiere dhe asistente mjekësore, është nëna e dy fëmijëve më të mëdhenj të këngëtarit, Paris Jackson dhe Prince Jackson. Fëmija i tretë, Bigi Jackson, lindi përmes një surrogate dhe identiteti i nënës biologjike nuk është bërë kurrë publik. Prej vitesh kanë qarkulluar spekulime se Michael Jackson mund të mos ketë qenë babai biologjik i asnjërit prej tre fëmijëve.
Debbie Rowe ka deklaruar më herët se shtatzënitë kanë ardhur përmes fekondimit artificial me material gjenetik të Michael Jackson. Megjithatë, pamja fizike e fëmijëve dhe deklarata të ndryshme ndër vite kanë ushqyer teori alternative, të cilat janë rishfaqur së fundmi në mediat ndërkombëtare.
Pas ndarjes nga këngëtari, Rowe i dorëzoi kujdestarinë e plotë Michael Jacksonit dhe për shumë vite pati një marrëdhënie të ftohtë me vajzën e saj. Vetëm pas diagnostikimit me kancer gjiri në vitin 2016, raportet me Paris Jackson u përmirësuan ndjeshëm, duke u shndërruar sot në një lidhje më të afërt dhe miqësore.
Ndërkohë, Debbie Rowe është shfaqur rrallë në publik dhe ka shmangur komentet mbi spekulimet e reja, duke mbetur një figurë enigmatike në historinë personale të ikonës së muzikës botërore.
