
Prefektura raporton gjendje të qëndrueshme, OSHEE dhe ARRSH në terren, vijon pastrimi i aksit Qukës–Qafë Plloçë dhe ndërhyrjet në disa bashki
Prefektura e Qarkut Korçë ka publikuar përditësimin më të fundit mbi situatën e krijuar pas motit të keq, duke bërë me dije se gjendja paraqitet e qëndrueshme dhe pa problematika madhore.
Sipas raportimit të OSHEE, është konstatuar një ndërprerje e pjesshme e energjisë elektrike në fiderin Frigorifer NST Gjanç, ku aktualisht janë pa furnizim dy abonentë ruralë në zonën e Kabinës Krushovë. Puna për rikthimin e plotë të energjisë vijon në terren.
Nga ana tjetër, ARRSH bën me dije se nuk ka problematika në qarkullimin rrugor në nivel qarku, ndërsa po vijon pastrimi nga inertet në aksin Qukës–Qafë Plloçë, i prekur nga reshjet dhe rrëshqitjet.
Njësitë vendore nuk raportojnë problematika të reja, ndërsa po punohet për neutralizimin e plotë të pikave të evidentuara më herët. Në Bashkinë e Maliq-it vijon puna për forcimin e argjinaturës së lumit Devoll, pas çarjes së konstatuar, me qëllim parandalimin e rrezikut nga përmbytjet.
Ndërkohë, në Bashkinë Pogradec po punohet për pastrimin e rrugës që lidh fshatrat Osnat, Niçë, Lekas dhe Dërdushë, për të garantuar lëvizjen normale të banorëve dhe mjeteve.
Autoritetet lokale dhe strukturat përgjegjëse mbeten në gatishmëri, ndërsa situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme.
