
Banorët e fshatit Cernalevë pa rrugë lidhëse, dëmtime në banesa dhe stalla, rreziku vijon të jetë aktiv
Katër familje në fshatin Cernalevë të qarkut Kukës prej 11 ditësh ndodhen tërësisht të izoluara, pas një rrëshqitjeje të madhe dheu që ka bllokuar rrugën hyrëse drejt banesave të tyre.
Sipas banorëve, rrëshqitja ka ndërprerë jo vetëm aksesin lokal, por edhe aksin kryesor që lidh fshatrat Borje, Oreshkë dhe Cernalevë me qytetin e Kukësit, duke vështirësuar ndjeshëm lëvizjen dhe furnizimin me shërbime bazë.
Banorët shprehen se situata është përkeqësuar si pasojë e tubacionit të një hidrocentrali në zonë, ku grumbullimi i ujit në faqen e malit ka sjellë rrëshqitjen e baltës dhe masave të dheut, duke rritur rrezikun për banesat përreth.
Si pasojë e shembjes, janë dëmtuar dy banesa dhe disa stalla bagëtish, ndërsa rrëshqitja mbetet ende aktive, duke mbajtur zonën në gjendje pasigurie dhe frike për banorët.
Reshjet e dendura të shiut dhe borës gjatë muajit janar kanë shkaktuar dëmtime të shumta në rrugë dhe ura në zonat e thella të Kukësit, duke lënë për ditë të tëra dhjetëra banorë të izoluar dhe në pritje të ndërhyrjes së autoriteteve për normalizimin e situatës.
