
Diplomacia amerikane thekson vlerat e përbashkëta me Evropën dhe lirinë e shprehjes
Ambasada e SHBA në Tiranë ka reaguar sërish pas vendimit për pezullimin e vizave të emigracionit, duke publikuar në rrjetet sociale një mesazh të Sekretarit Amerikan të Shtetit, Marco Rubio, lidhur me marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe vendeve europiane.
Në postimin e saj, ambasada vë theksin te rëndësia e aleancave transatlantike dhe bazat mbi të cilat ato janë ndërtuar, duke nënvizuar se bashkëpunimi mes SHBA-së dhe partnerëve europianë mbështetet në parime dhe vlera të përbashkëta.
Në mesazhin e shpërndarë citohet Rubio, i cili shprehet se aleancat me Europën janë ndërtuar mbi themele të forta vlerash, ku një ndër më të rëndësishmet mbetet liria dhe liria e shprehjes. Ky qëndrim vjen në një moment të ndjeshëm diplomatik, pas vendimit për pezullimin e vizave emigruese, që ka ngjallur reagime dhe debat në opinionin publik.
Publikimi i mesazhit shihet si përpjekje për të riafirmuar partneritetin strategjik mes SHBA-së dhe vendeve europiane, duke theksuar se, pavarësisht zhvillimeve të fundit, parimet themelore të bashkëpunimit mbeten të pandryshuara.
