
Dy shqiptarë arrestohen nga Guardia di Finanza, lënda narkotike kap vlerën e rreth 20 milionë eurove
Një operacion i gjerë antidrogë në Itali ka çuar në arrestimin e dy shtetasve shqiptarë, të cilët po trafikonin një sasi të konsiderueshme kokaine të pastër, të fshehur brenda një trajleri.
Sipas autoriteteve italiane, mbi 160 kilogramë kokainë u sekuestruan gjatë një operacioni të zhvilluar nga Guardia di Finanza mes provincave të Bergamos dhe Brescias. Lënda narkotike, nëse do të hidhej në treg, vlerësohet se do të sillte fitime deri në 20 milionë euro.
Operacioni u zhvillua në zona industriale të konsideruara strategjike për aktivitetet e paligjshme të trafikimit të drogës. Gjatë kontrolleve, oficerët vunë re lëvizje të dyshimta rreth një kamioni me rimorkio të ndaluar në një komunë të zonës së Bergamos.
Sipas raportimeve, shoferi i kamionit u pa duke hipur në rimorkio pak çaste përpara se një automjet tjetër të ndalonte pranë tij. Në momentin që po kryhej dorëzimi i shtatë çantave të mëdha drejtuesit të makinës, forcat e Guardia di Finanza ndërhynë duke ushtruar kontroll të menjëhershëm.
Brenda çantave u gjetën 150 blloqe kokaine, me një peshë totale mbi 160 kilogramë. Dy burrat e përfshirë, të dy me origjinë shqiptare, u arrestuan në flagrancë dhe u shoqëruan në burgun e Bergamos.
Autoritetet italiane bëjnë me dije se hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrjetin kriminal dhe për të identifikuar lidhjet e mundshme të të arrestuarve me organizata më të mëdha të trafikut ndërkombëtar të narkotikëve.
