
30 të arrestuar, zbulohet bashkëpunim mes kartelit ballkanik dhe grupeve nga Kolumbia
Autoritetet në Spanjë kanë çmontuar një rrjet të fuqishëm të trafikut të kokainës, duke vënë në pranga 30 persona në kuadër të një operacioni të gjerë policor kundër krimit të organizuar.
Gjatë operacionit janë sekuestruar 2.5 kilogramë kokainë, ndërsa hetimet kanë zbuluar se grupi kriminal importonte sasi të mëdha droge nga Kolumbi drejt Spanjës. Trafikantët përdornin metoda të rrezikshme dhe të sofistikuara, përfshirë grupe notarësh të rinj që transportonin lëndën narkotike drejt anijeve në lëvizje në det.
Hetimi nisi në tetor të vitit 2024, kur policia zbuloi 88 kilogramë kokainë të fshehur në një automjet në qytetin jugor spanjoll Mijas. Ky zbulim çoi në zbërthimin e një rrjeti më të gjerë kriminal dhe identifikimin e tre grupeve të strukturuara, mes tyre edhe një kartel me origjinë ballkanike.
Sipas autoriteteve, këto grupe bashkëpunonin ngushtë për të organizuar transportin e sasive të mëdha të kokainës drejt tregut europian, duke përdorur rrugë detare dhe taktika që synonin t’i shmangeshin kontrolleve policore.
Hetimet vijojnë ende, pasi dyshohet se rrjeti kishte kapacitetin për të trafikuar sasi shumë më të mëdha droge, duke përbërë një rrezik serioz për sigurinë dhe shëndetin publik në disa vende të Evropës.
