
Grabitje të përsëritura në banesa, armë dhe maskë në momentin e arrestimit
Policia e Durrësit ka arrestuar një shtetas 29-vjeçar, i dyshuar si autor i të paktën tetë vjedhjeve në banesa, pas identifikimit të tij përmes pamjeve filmike të kamerave të sigurisë.
Sipas njoftimit zyrtar, i riu dyshohet se gjatë periudhës dhjetor 2025 – janar 2026 ka vjedhur në mënyrë të përsëritur shuma parash, bizhuteri dhe pajisje të ndryshme elektronike. Tre nga vjedhjet janë kryer në banesën e një shtetaseje italiane, në zonën e Fermë Sukthit, ndërsa pesë raste të tjera në banesa të ndryshme në territorin e qarkut.
Hetimet e kryera nga Policia e Durrësit tregojnë se autori vepronte i maskuar dhe me doreza, duke përfituar nga mungesa e banorëve në banesa. Pamjet e sigurisë kanë qenë kyçe për identifikimin dhe ndalimin e tij.
Gjatë kontrollit fizik në momentin e arrestimit, policia i ka gjetur 29-vjeçarit një pistoletë sportive që e mbante pa leje, si dhe një maskë dhe një palë doreza, të cilat dyshohet se i përdorte gjatë kryerjes së vjedhjeve.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore, ndërsa hetimet vijojnë për të verifikuar nëse i arrestuari është i përfshirë edhe në raste të tjera vjedhjesh të mbetura ende të pazbardhura.
