
I mituri u nis për në shkollë por nuk mbërriti kurrë, alarm dhe kërkime intensive nga familja dhe autoritetet
Orë ankthi po përjetohen në zonën e Veronës pas zhdukjes së Diego Baroni, një 14-vjeçar nga San Giovanni Lupatoto, për të cilin nuk ka asnjë informacion prej katër ditësh.
Sipas të dhënave të bëra publike nga mediat italiane, Diego u largua nga banesa e tij në mëngjesin e 12 janarit rreth orës 06:45, për të marrë autobusin që do ta çonte në Institutin Profesional Giorgi në Verona. Megjithatë, ai nuk ka mbërritur kurrë në shkollë dhe nuk është kthyer më në shtëpi.
Nëna e 14-vjeçarit ka bërë apel publik në rrjetet sociale dhe ka paraqitur kallëzim pranë karabinierëve, ndërsa kërkimet e nisura nga autoritetet nuk kanë dhënë ende asnjë rezultat konkret.
Sipas informacioneve të publikuara nga mediat lokale, avistimi i fundit i Diego Baronit ka ndodhur pranë stacionit Verona Porta Nuova. Aty, ai u ka thënë disa shoqeve se kishte ndërmend të shkonte në Milano për të takuar disa miq, për të cilët familja nuk ka dijeni.
Gjithashtu, sinjali i fundit i telefonit të tij celular është lokalizuar pikërisht në një zonë të Milanos, çka ka shtuar shqetësimin dhe ka orientuar kërkimet edhe jashtë Veronës.
Familjarët, të afërmit dhe autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që, nëse kanë informacion të vlefshëm për lëvizjet apo vendndodhjen e 14-vjeçarit, të kontaktojnë menjëherë policinë, ndërsa shpresat mbeten të gjalla për gjetjen e tij shëndoshë e mirë.
