
Autori i tri vjedhjeve u kap pak orë pas krimit, policia i sekuestroi paratë, armën e ftohtë dhe celularin
Policia e Tiranës ka arrestuar një shtetas 30-vjeçar, i identifikuar me inicialet I.B., i dyshuar si autor i disa vjedhjeve me thikë në subjekte tregtare në kryeqytet, kryesisht në dyqane të kompanive telefonike.
Sipas njoftimit zyrtar, 30-vjeçari dyshohet se ka grabitur xhirot ditore të dy njësive të një kompanie telefonike dhe të një dyqani tjetër, duke kanosur punonjëset me mjet prerës. Arrestimi i tij u bë vetëm pak orë pas vjedhjes së fundit, falë veprimeve të shpejta hetimore të Komisariatit të Policisë Nr. 4.
Gjatë kontrollit fizik në momentin e ndalimit, policia i sekuestroi autorit shumën e parave të vjedhura, një thikë që dyshohet se e përdorte për kanosje, si dhe celularin e tij.
Nga verifikimet e mëtejshme ka rezultuar se i njëjti shtetas dyshohet se ka kryer vjedhje të ngjashme edhe gjatë muajit dhjetor 2025, duke përdorur të njëjtën metodë. Policia po punon për zbardhjen e rasteve të tjera të mundshme ku mund të jetë përfshirë 30-vjeçari.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal të të arrestuarit.
