
Magnituda 3.7 ballë, epiqendra në thellësi 5 km, pa raportime për dëme
Një tërmet me magnitudë 3.7 ballë të shkallës Rihter është regjistruar paraditen e së premtes në zonën e Pogradecit, duke shkaktuar lëkundje të ndjeshme për banorët.
Sipas të dhënave të publikuara nga European-Mediterranean Seismological Centre, tërmeti ka rënë rreth orës 11:30 dhe ka pasur një thellësi prej rreth 5 kilometrash, çka ka bërë që lëkundjet të ndihen në një territor më të gjerë.
Raportimet e qytetarëve në platformën e EMSC tregojnë se dridhjet janë ndjerë edhe në Korçë, si dhe në qytete përreth liqenit të Ohrit, përfshirë Strugë dhe Ohër. Lëkundjet janë ndjerë gjithashtu deri në Elbasan.
Deri në këto momente nuk ka raportime për dëme materiale apo persona të lënduar, ndërsa autoritetet vijojnë monitorimin e situatës. Banorët janë këshilluar të qëndrojnë të qetë dhe të ndjekin njoftimet zyrtare në rast të lëkundjeve të tjera.
