
Mesazh i fortë nga Nancy VanHorn, SHBA sinjalizon vazhdim të bashkëpunimit me SPAK, BKH dhe FBI kundër narkotikëve dhe krimit të organizuar
E Ngarkuara me Punë e Ambasadës së Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Nancy VanHorn, ka dhënë një mesazh të qartë politik dhe sigurie gjatë ceremonisë së mbylljes së trajnimit të udhëhequr nga FBI për hetuesit e SPAK dhe BKH, të zhvilluar në Akademinë e Sigurisë.
Duke cituar Marco Rubio, VanHorn theksoi se organizatat ndërkombëtare kriminale dhe terroriste, veçanërisht ato të përfshira në trafikimin e narkotikëve, përbëjnë kërcënimin më të madh për sigurinë e SHBA-së në Hemisferën Perëndimore. Sipas saj, këto struktura nuk janë thjesht rrjete kriminale, por mekanizma që destabilizojnë shtetet, nxisin emigracionin masiv dhe krijojnë pasoja të drejtpërdrejta për sigurinë amerikane dhe ndërkombëtare.
Në fjalën e saj, VanHorn bëri të qartë se Uashingtoni do të ndjekë me këmbëngulje prioritetet e Presidentit Donald Trump në Shqipëri, duke forcuar institucionet që luftojnë krimin e organizuar dhe trafikun e narkotikëve. Ajo veçoi SPAK-un, BKH-në dhe Akademinë e Sigurisë si shtylla kyçe të këtij angazhimi, duke sinjalizuar vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë me FBI-në dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese amerikane.
Mesazhi i diplomates amerikane vjen në një moment delikat për drejtësinë shqiptare, ku SPAK dhe BKH ndodhen nën presion të vazhdueshëm politik dhe mediatik. Megjithatë, sinjalet nga SHBA janë të qarta: mbështetja për institucionet shqiptare të drejtësisë nuk është simbolike, por strategjike dhe afatgjatë, me luftën kundër krimit të organizuar dhe narkotikëve si një prioritet të drejtpërdrejtë në marrëdhëniet mes Tiranës dhe Uashingtonit.
