
Shkurtimet masive të ndihmave rrezikojnë miliona njerëz në Afrikën Perëndimore dhe Qendrore
Organizata e Kombeve të Bashkuara ka dhënë alarmin për një krizë urie pa precedent në dhjetë vitet e fundit në Nigeri, veçanërisht në verilindjen e vendit të përfshirë prej vitesh nga konflikti i armatosur.
Sipas Programit Botëror të Ushqimit të OKB-së, rreth 15 mijë persona në shtetin Borno rrezikojnë kequshqyerje akute, në një zonë që tashmë është goditur rëndë nga pasiguria, dhuna militante dhe zhvendosjet e vazhdueshme të popullsisë.
Në shkallë rajonale, situata është edhe më dramatike. Rreth 55 milionë njerëz po përballen me mungesa serioze ushqimore në Afrikën Perëndimore dhe Qendrore, ku mbi tre të katërtat e tyre ndodhen në Nigeri, Çad, Kamerun dhe Niger. Vetëm gjatë këtij viti, më shumë se 13 milionë fëmijë në rajon konsiderohen të ekspozuar ndaj rrezikut të lartë të kequshqyerjes.
OKB thekson se, përveç konflikteve të gjata, rënies ekonomike dhe zhvendosjeve masive, një faktor vendimtar që e ka përkeqësuar krizën janë shkurtimet e mëdha të ndihmave humanitare. Këto shkurtime nisën pasi administrata e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ndërmori ulje të ndihmave në kuadër të politikës America First, ndërsa edhe Mbretëria e Bashkuar dhe vende të tjera reduktuan fondet për të rritur shpenzimet e mbrojtjes.
“Ngrirja dhe reduktimi i fondeve që pamë gjatë vitit 2025 kanë thelluar urinë dhe kequshqyerjen në të gjithë rajonin”, deklaroi Sarah Longford, zëvendësdrejtoreshë rajonale e Programit Botëror të Ushqimit për Afrikën Perëndimore dhe Qendrore.
Si pasojë e mungesës së fondeve, Programi Botëror i Ushqimit ka reduktuar programet e ushqyerjes në Nigeri, duke prekur mbi 300 mijë fëmijë. Agjencia paralajmëron se, nëse ndihmat nuk rriten urgjentisht, deri në dhjetor rreth 35 milionë njerëz mund të mbeten pa ushqim të mjaftueshëm.
Për të shmangur përkeqësimin e mëtejshëm të krizës humanitare, OKB thekson se nevojiten më shumë se 453 milionë dollarë gjatë gjashtë muajve të ardhshëm për të vijuar shpërndarjen e ndihmave jetike në rajon.
