
Gjykata e punës në Britani e cilëson situatën si ngacmim dhe shkelje të dinjitetit të grave në vendin e punës
Një grup prej shtatë infermieresh në Mbretërinë e Bashkuar kanë fituar një çështje të rëndësishme ligjore kundër Shërbimit Kombëtar Shëndetësor, NHS, pasi kundërshtuan përdorimin e dhomës së zhveshjes së grave nga një kolege transgjinore në spitalin ku punonin.
Infermieret kishin paditur County Durham and Darlington Foundation Trust, duke argumentuar se prania e koleges së tyre, Rose Henderson, e lindur biologjikisht mashkull por që identifikohet si grua, në ambientet e dedikuara për gratë, kishte krijuar një situatë poshtëruese dhe kërcënuese për to.
Gjykata e punës arriti në përfundimin se gratë kishin pësuar ngacmim në vendin e punës, duke theksuar se situata kishte shkelur dinjitetin e tyre dhe kishte krijuar një mjedis armiqësor, intimiduese dhe degradues. Vendimi konsiderohet një precedent i rëndësishëm në debatin mbi hapësirat njëseksuale në institucionet publike.
Bethany Hutchison, infermierja që udhëhoqi padinë, e cilësoi vendimin si një fitore të arsyes së shëndoshë dhe të së drejtës së grave për t’u ndier të sigurta në vendin e punës. Ajo deklaroi se askush nuk duhet të detyrohet të zgjedhë mes profesionit dhe sigurisë personale.
Gjatë seancave dëgjimore, disa nga infermieret rrëfyen se kishin përjetuar ankth të rëndë psikologjik. Njëra prej tyre deklaroi se vuante nga trauma e abuzimit seksual në fëmijëri dhe se situata në dhomën e zhveshjes i kishte rikthyer përjetime të rënda emocionale.
Çështja ka ngjallur reagime të forta në opinionin publik britanik dhe është mbështetur edhe nga figura të njohura publike, përfshirë shkrimtaren e famshme J.K. Rowling, e cila prej vitesh ka folur hapur për mbrojtjen e hapësirave të dedikuara për gratë.
Vendimi pritet të ketë ndikim të gjerë në politikat e NHS dhe institucioneve të tjera publike në Mbretërinë e Bashkuar, duke rihapur debatin mbi balancën mes të drejtave individuale dhe mbrojtjes së sigurisë dhe dinjitetit në vendin e punës.
