
Përgjegjësja dhe arkëtarja dyshohen për vjedhje fondesh publike dhe manipulim dokumentesh për muaj me radhë
Dy punonjëse të zyrës postare në fshatin Vishocicë të Devollit janë vënë nën hetim penal, të dyshuara për një skemë të mirëorganizuar vjedhjeje dhe falsifikimi, përmes së cilës janë përvetësuar rreth 22 milionë lekë të rinj nga fondet e pensioneve dhe ndihmës ekonomike.
Sipas njoftimit të Policia e Shtetit, hetimet kanë nisur ndaj një 29-vjeçareje, përgjegjëse e zyrës postare Vishocicë, dhe një 27-vjeçareje, arkëtare-llogaritare në degën postare Devoll. Ato akuzohen për vjedhje të kryer duke shpërdoruar detyrën, falsifikim dokumentesh dhe falsifikim kompjuterik, kryer në bashkëpunim.
Nga hetimet paraprake rezulton se gjatë periudhës shtator 2025 – janar 2026, përgjegjësja e postës ka përvetësuar fondet e pensioneve dhe të ndihmës ekonomike, kryesisht të përfituesve që jetonin jashtë Shqipërisë, duke falsifikuar nënshkrimet e tyre për të justifikuar tërheqjen e parave.
Në të njëjtën kohë, arkëtarja dyshohet se ka manipuluar dhe falsifikuar mandatpagesat, duke i hequr ato nga evidencat e librave të arkës dhe nga sistemi i menaxhimit të parave cash, me qëllim mbulimin dhe lehtësimin e vjedhjes së fondeve.
Materialet procedurale janë referuar në Prokuroria, ndërsa hetimet vijojnë për të identifikuar persona të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë skemë abuzimi me fondet publike. Rasti ka ngritur shqetësime serioze mbi kontrollin dhe sigurinë e shpërndarjes së pensioneve dhe ndihmës ekonomike në zonat rurale.
