
Gazetarët e konsiderojnë ekstrem dhe të rrezikshëm paralajmërimin e kryeministrit, kërkojnë dialog dhe reformë sipas standardeve europiane
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka reaguar me shqetësim të thellë pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama, i cili e cilësoi Radio Televizionin Shqiptar si një dështim dhe hodhi si opsione mbylljen, privatizimin apo partneritetin e tij.
Në një deklaratë publike, Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë vlerëson se propozime të tilla përbëjnë masa ekstreme, që rrezikojnë seriozisht pluralizmin mediatik dhe cenojnë të drejtën e publikut për informim të paanshëm.
Sipas AGSH-së, retorika politike që stigmatizon median publike dhe sugjeron zgjidhje drastike, pa një analizë të thelluar dhe pa garanci konkrete për pavarësinë editoriale, bie ndesh me parimet themelore të shërbimit publik mediatik dhe me standardet europiane të lirisë së medias.
Asociacioni thekson se RTSH nuk është thjesht një strukturë financiare apo ndërmarrje ekonomike, por një institucion i interesit publik, i cili ka për mision garantimin e informimit të paanshëm, promovimin e kulturës dhe edukimit, si dhe aksesin e barabartë të qytetarëve në informacion.
Në reagim vihet në dukje se është e papranueshme që përgjegjësia për problematikat strukturore të RTSH-së t’i faturohet vetëm vetë institucionit, duke anashkaluar rolin e ndërhyrjeve politike ndër vite. AGSH nënvizon se emërimet e kontestuara, mungesa e transparencës, paqëndrueshmëria financiare dhe abuzimet nga të emëruar politikë kanë ndikuar drejtpërdrejt në funksionimin e televizionit publik.
Një tjetër shqetësim i ngritur lidhet me refuzimin e financimit publik, i cili sipas Asociacionit përbën një mjet presioni politik dhe një rrezik serioz për pavarësinë e medias publike dhe për funksionimin e saj në një shoqëri demokratike.
AGSH thekson se çdo reformë e RTSH-së duhet të ndërtohet përmes një dialogu të gjerë dhe gjithëpërfshirës me gazetarët, shoqërinë civile dhe ekspertët e medias, duke respektuar praktikat më të mira europiane dhe rekomandimet e organizatave ndërkombëtare.
Në përfundim, Asociacioni kujton se prej vitesh ka kërkuar reforma të thella në RTSH, veçanërisht në mënyrën e përzgjedhjes së anëtarëve të Këshillit Drejtues dhe të Drejtorit të Përgjithshëm, si dhe një reformë të brendshme strukturore që garanton profesionalizëm, pavarësi dhe transparencë
