
Akti “ Mikaela Naylon – Jepuni fëmijëve një shans” u miratua unanimisht në Dhomën e Përfaqësuesve, por u ndal në Senat nga një veto e vetme
Një apel prekës nga fëmijë dhe të rinj që luftojnë me kancerin ka vënë në qendër të debatit politik në SHBA senatorin Bernie Sanders, i cili bllokoi në Senat miratimin e ligjit “Mikaela Naylon – Jepuni fëmijëve një shans ”, një nismë dypartiake që synon të zgjerojë aksesin e pacientëve pediatrikë në trajtime dhe prova klinike jetike.
Ligji, i cili kaloi pa asnjë votë kundër në Dhomën e Përfaqësuesve, u ndal në Senat pasi Sanders kërkoi që ai të lidhej me financime shtesë për programe të tjera shëndetësore, veprim që shkaktoi reagime të forta publike. Kritikët e quajtën këtë vendim të pamëshirshëm, ndërsa familjet e fëmijëve të sëmurë e përjetuan si një goditje shkatërruese.
Mes tyre është edhe Jacob Knudsen, një i ri nga Kalifornia që prej fëmijërisë ka kaluar një betejë të gjatë me kancerin. Ai dhe shumë pacientë të tjerë i janë drejtuar publikisht Sandersit, duke i kërkuar të mos e përdorë ligjin si mjet presioni politik. Sipas tyre, ky akt nuk ka kosto shtesë për taksapaguesit, por mund të hapë rrugën për trajtime të reja dhe potencialisht shpëtuese për mijëra fëmijë çdo vit.
Organizata të të drejtave të pacientëve dhe aktivistë të shëndetit publik theksojnë se dështimi për ta kaluar ligjin tregon bllokimin e thellë të politikës amerikane, edhe kur bëhet fjalë për çështje me konsensus të gjerë dhe ndikim të drejtpërdrejtë humanitar. Sipas tyre, ligji do të nxisë kompanitë farmaceutike të zhvillojnë barna të reja për kanceret pediatrike, një fushë që ka mbetur pas për dekada.
Ndërkohë, fëmijët dhe familjet e tyre vijojnë të bëjnë thirrje që Senati ta rikthejë ligjin në rendin e ditës. “Na duhen heronj, jo pazare politike”, është mesazhi i tyre i përbashkët, në një përpjekje për ta kthyer këtë nismë nga një betejë politike në një çështje jete a vdekjeje.
