
Dokumentari i ri zbulon komunikimin e fshehtë mes vrasësit serial dhe familjes, dekada pas krimeve që tronditën SHBA
Kushërira e vrasësit serial famëkeq Ted Bundy ka vendosur të thyejë heshtjen dhe të zbulojë përmbajtjen e letrave që ai i dërgonte nga qelia e vdekjes në Florida, duke hedhur dritë mbi anën manipuluese dhe përçmuese të një prej figurave më të errëta të krimit në historinë amerikane.
Edna Martin, sot 74 vjeçe, tregon se për vite me radhë ka mbajtur korrespondencë me kushëririn e saj, i cili kishte pranuar vrasjen e më shumë se 30 vajzave dhe grave të reja gjatë viteve ’70. Rrëfimet e saj bëhen publike në dokumentarin “Love, Ted Bundy”, që pritet të transmetohet së shpejti në kanalin Oxygen.
Sipas Martin, gjithçka nisi në vitin 1980, kur ajo i dërgoi një letër Bundyt për ta pyetur mbi librin “The Stranger Beside Me”, që përshkruante miqësinë e tij me shkrimtaren Ann Rule. Përgjigjja e tij, thotë ajo, ishte tipike për mënyrën se si ai manipulonte realitetin, duke e quajtur librin të mbushur me gënjeshtra dhe gjysmë të vërteta.
Edna Martin rrëfen se në letra, Bundy shpesh shfaqej arrogant dhe përçmues, duke shmangur çdo përgjegjësi për krimet e tij dhe duke u fshehur pas citimeve fetare. Megjithatë, pavarësisht toneve të ftohta dhe mohimeve, ai i përfundonte gjithmonë letrat me të njëjtën frazë: “Me dashuri, Ted”.
Ajo shprehet se e kishte të vështirë të pajtonte dy figurat e Bundyt: njeriun karizmatik dhe të afërt që njihte si pjesë e familjes dhe mik i ngushtë, dhe kriminelin që kishte terrorizuar dhjetëra familje. Sipas saj, ai nuk hoqi kurrë maskën para saj dhe nuk pranoi hapur krimet, edhe pse ishte dënuar për to.
Ted Bundy u ekzekutua në vitin 1989 në Florida, por historia e tij vijon të ngjallë interes dhe debat. Dokumentari i ri synon të tregojë jo vetëm krimet, por edhe mënyrën se si ai manipulonte edhe njerëzit më të afërt, duke ruajtur kontrollin psikologjik deri në fund
