
Gjykata zbulon fjalët e fundit të gruas 40-vjeçare që i dha fund jetës bashkë me fëmijën e saj me aftësi të kufizuara
Një tragjedi e thellë ka tronditur opinionin publik në Britani, pasi janë zbardhur shënimet e fundit të një nëne 40-vjeçare, e cila vrau vajzën e saj 8-vjeçare dhe më pas i dha fund jetës së vet. Ngjarja u konfirmua gjatë seancës së gjykatës së mjekësisë ligjore, ku u bë e ditur se në banesë ishin gjetur tri letra të shkruara përpara aktit fatal.
Sipas autoriteteve, Martina Karos kishte vrarë vajzën e saj, Eleni Edwards, e cila ishte e verbër, nuk fliste dhe kishte lëvizshmëri shumë të kufizuar. Të dyja humbën jetën nga helmimi me monoksid karboni në dhomën e tyre të gjumit.
Në njërën nga shënimet, Martina shkruante se e donte vajzën e saj me gjithë shpirt dhe se kishte vendosur ta merrte me vete, pasi ajo nuk do të ishte kurrë në gjendje të jetonte në mënyrë të pavarur. Në letra të tjera, ajo shprehte lodhjen e thellë emocionale, vetminë dhe izolimin që, sipas saj, kishin pushtuar jetën e saj pas përfundimit të një marrëdhënieje personale.
Gjykata dëgjoi se Martina ishte kujdestarja e vetme e vajzës së saj dhe kishte vuajtur prej vitesh nga ankthi dhe depresioni, për të cilat ishte trajtuar edhe me medikamente. Ajo kishte shprehur shqetësimin se çfarë do të ndodhte me Elenin pas vdekjes së saj dhe kishte frikë se vajza do të përfundonte në sistemin e kujdesit social.
Koroneri konfirmoi se vdekja e vajzës ishte e paligjshme dhe se Martina kishte vepruar me qëllimin për t’i dhënë fund jetës së të dyjave. Megjithatë, u theksua se, pavarësisht mbështetjes nga shërbimet shëndetësore, sociale dhe familjare, ajo ishte përfshirë nga ndjenja ekstreme vetmie dhe izolimi, të cilat kishin mbizotëruar mbi gjendjen e saj mendore.
Në përfundim, gjykata nënvizoi se nuk kishte prova për dështime serioze në kujdesin e ofruar nga institucionet dhe se kjo tragjedi nuk kishte qenë e parashikueshme. Rasti ka rihapur debatin për shëndetin mendor, barrën e rëndë të kujdestarisë afatgjatë dhe nevojën për mbështetje më të fortë për prindërit që përballen me situata ekstreme.
