
Një person humb jetën dhe dhjetë të tjerë plagosen pas një përplasjeje në një kryqëzim të pambrojtur, hetimet janë në vijim
Një aksident i rëndë hekurudhor ka ndodhur mbrëmjen e së premtes në zonën e portit të Hamburgut, ku një tren u përplas me një autobus urban, duke shkaktuar vdekjen e një personi dhe plagosjen e dhjetë të tjerëve.
Sipas shërbimit zjarrfikës, të gjithë të plagosurit ndodheshin në autobus, ndërsa viktima, një burrë, humbi jetën në vendngjarje si pasojë e plagëve të marra. Dy prej të plagosurve ndodhen në gjendje të rëndë, ndërsa gjashtë të tjerë kanë pësuar lëndime të lehta. Disa persona morën ndihmën e parë në vend, ndërsa të tjerët u transportuan menjëherë në spital.
Drejtuesi i autobusit ishte personi i fundit që u nxor nga mjeti, pasi kishte mbetur i bllokuar për shkak të përplasjes. Autoritetet bëjnë me dije se aksidenti ndodhi në një kryqëzim të pambrojtur në qendër të zonës portuale, për shkaqe që ende nuk janë sqaruar.
Policia ka njoftuar se viktima ndërroi jetë në vendngjarje, ndërsa operacionet e shpëtimit vijuan për disa orë. Një njësi e specializuar e policisë shkencore është angazhuar për të hetuar rrethanat e aksidentit dhe për të përcaktuar përgjegjësitë.
Ndërkohë, autoritetet lokale kanë ngritur një zonë pritjeje për familjarët e të plagosurve në stacionin më të afërt të autobusëve, ndërsa hetimet pritet të hedhin më shumë dritë mbi shkaqet e kësaj ngjarjeje tragjike.
