
Liderja e opozitës venezuelase thotë se beteja është kundër një regjimi kriminal dhe jo për ambicie personale
Liderja e opozitës venezuelase, Maria Corina Machado, ka deklaruar se prioriteti i saj kryesor mbetet rikthimi i demokracisë dhe lirimi i të burgosurve politikë në Venezuelë, duke theksuar se e ardhmja e saj personale politike nuk është në qendër të angazhimit të saj aktual.
Deklaratat u bënë gjatë një konference për shtyp në Heritage Foundation, pas një takimi që Machado zhvilloi me Donald Tramp. E pyetur nëse kishte kërkuar mbështetjen e Tramp për të siguruar postin presidencial, ajo u shpreh se kjo çështje nuk ka të bëjë me të si individ, por me drejtësinë dhe vullnetin e popullit venezuelas.
Sipas saj, beteja politike në Venezuelë është kundër një strukture kriminale që ka kapur shtetin dhe jo një garë për pushtet personal. Machado theksoi se ajo është vetëm një pjesë e një lëvizjeje të madhe, e përbërë nga miliona venezuelas që janë të vendosur të jetojnë të lirë.
Deklaratat e saj vijnë në një moment delikat për Venezuelën, pas operacionit ushtarak amerikan që çoi në largimin nga pushteti të ish-diktatorit Nicolás Maduro. Pas këtij zhvillimi, administrata amerikane ka njohur ish-zëvendëspresidenten Delcy Rodríguez si drejtuese të përkohshme të vendit, një vendim që Machado e ka kritikuar publikisht.
Ajo e cilësoi Rodríguezin si një figurë të lidhur ngushtë me regjimet autoritare të Rusisë, Kinës dhe Iranit, duke theksuar se ajo nuk përfaqëson popullin venezuelas. Megjithatë, Machado shprehu mirënjohje për Shtetet e Bashkuara dhe për Tramp, duke deklaruar se largimi i regjimit të vjetër ishte një hap i domosdoshëm drejt çlirimit të vendit.
Në fokusin e saj aktual, Machado vendosi çështjen e të drejtave të njeriut dhe fatin e qindra personave që mbeten ende të arrestuar për arsye politike. Sipas organizatave të të drejtave të njeriut, deri në një mijë të burgosur politikë mund të ndodhen ende në paraburgim, pavarësisht lirimit të më shumë se 115 personave si gjest ndaj Uashingtonit.
Machado tha se është e bindur që presidenti amerikan është i informuar për situatën dhe se ka treguar njohuri të thellë mbi dramën e Venezuelës. Ajo shtoi se rruga drejt stabilitetit dhe sigurisë do të jetë e ndarë në faza dhe se aktualisht misioni i saj mbetet i përqendruar te drejtësia, liria dhe dinjiteti i qytetarëve venezuelas.
