Bota

Hungari: Komuniteti hebre i ndarë për luftën në Gaza

Hebrenjtë hungarezë nxisin reagime të forta me një letër që dënon luftën në Gaza

Një peticion i nënshkruar nga qindra hebrenj hungarezë, ku dënohet politika e qeverisë izraelite ndaj luftës kundër Hamasit në Gaza, ka shkaktuar debat të madh brenda komunitetit hebre më të madh në Evropën Qendrore.

Letra e hapur, e shpërndarë online dhe e nënshkruar fillimisht nga mbi 300 hebrenj hungarezë, ka mbledhur më pas më shumë se 1 400 firma në total, si nga hebrenj ashtu edhe nga johebrenj. Ajo akuzon qeverinë izraelite dhe organizatat hebraike kombëtare për deklarata ekstreme e të njëanshme dhe thekson:- “Ne jemi këtu për të thënë se këto zëra nuk flasin në emrin tonë. Edhe ne ekzistojmë.”

Përveç kritikës ndaj bombardimeve të Izraelit, letra shpreh solidaritet me të gjitha palët e prekura nga konflikti: viktimat izraelite të sulmeve të Hamasit më 7 tetor, civilët palestinezë të vrarë në Gaza, pengjet e mbijetuar dhe qindra mijëra banorë të Gazës që vuajnë nga shkatërrimi brutal dhe uria e qëllimshme.

Në mesin e nënshkruesve janë emra të njohur si Katalin Kelemen, rabinia e parë femër e Hungarisë, poeti Lajos Parti Nagy dhe historiani i Holokaustit László Karsai. Disa prej tyre, si autori i njohur i librave për traumën Gabor Mate, jetojnë kryesisht jashtë vendit.

Letra denoncon gjithashtu ndalimin e protestave kundër luftës, në Hungari dhe kufizimet e forta ndaj shtypit. Kryeministri Viktor Orbán, një aleat i afërt i kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, këtë vit shpalli tërheqjen e Hungarisë nga Gjykata Penale Ndërkombëtare (GJNP), pasi kjo e fundit lëshoi urdhër-arrest ndaj Netanyahut për krime lufte..

Reagimet nuk kanë munguar: filozofi György Gábor e ka quajtur dokumentin një “letër hipokrite”, duke akuzuar nënshkruesit se kërkojnë vetëm të fitojnë simpati nga opinioni publik ndërkombëtar. Ndërkohë, organizatat më të mëdha hebraike në vend, Mazsihiszdhe EMIH, nuk kanë dhënë ende një koment publik.

Letra e hebrenjve hungarezë është pjesë e një vale më të gjerë polemikash në diasporën hebraike mbi luftën në Gaza, ku edhe në vende të tjera të Evropës, rabinë dhe personalitete fetare janë përplasur mbi qëndrimet e tyre ndaj politikës izraelite.

LEAVE A RESPONSE

Your email address will not be published. Required fields are marked *