Robina Aminian e donte modën dhe postonte në Instagram foto të fustaneve që i kishte qëndisur me dorë. Ajo ishte po aq e apasionuar pas politikës dhe aktivizmit.
Rreth një javë më parë, më 8 janar, studentja mbaroi mësimin rreth orës 7 të mbrëmjes në Kolegjin e Grave Shariati në Teheran dhe u nis me shoqet e saj në një demonstratë antiqeveritare pranë kampusit.
Protestat në Iran vijonin prej më shumë se një javë, por Aminian e dinte se kjo ditë do të ishte ndryshe. Tubimet po rriteshin, po përhapeshin në më shumë qytete dhe thirrjet për ndryshim regjimi po bëheshin gjithnjë e më të forta. Donald Trump kishte kërcënuar me ndërhyrje ushtarake amerikane nëse forcat e sigurisë do të hapnin zjarr ndaj protestuesve.
Princi i kurorës në mërgim, Reza Pahlavi, po u bënte thirrje iranianëve të dilnin masivisht në rrugë në orën 8 të mbrëmjes.
Jeta e Robina Aminian u ndërpre atë natë, kur ajo ishte mes 22 dhe 23 vjeç.
Nata kur Robina Aminian nuk u kthye më në shtëpi: Si u ekzekutua
“Ajo ishte një vajzë plot entuziazëm për jetën, e dashuruar me dizajnin dhe modën, ëndrrat e së cilës u varrosën nga dhuna e shtypësve të Republikës Islamike”, – u shpreh tezja e saj, Hali Nouri, duke folur nga jashtë vendit.
Të mërkurën e kaluar, në një kthesë të papritur ngjarjesh që ngriti shumë pyetje, Donald Trump deklaroi se vrasjet e protestuesve kishin ndaluar dhe dukej se po e zbuste retorikën e tij kundër regjimit iranian. Megjithatë, siç raportuan iranianët për “Wall Street Journal”, qetësia erdhi kryesisht sepse forcat e sigurisë kishin lëshuar një valë të paparë dhune prej fundit të javës së kaluar, e cila u përhap në dhjetëra qytete.
Shtypja u krye nën një mbyllje të plotë të internetit dhe pengimit të telekomunikacionit, gjë që e bën të vështirë vlerësimin e shkallës së saj të vërtetë. Organizatat e të drejtave të njeriut po përpiqen të përpilojnë një numër të të vdekurve, bazuar në imazhet e çantave të kufomave, dëshmitë nga të afërmit, punonjësit e shëndetësisë dhe dëshmitarët okularë.
Pavarësisht mungesës së të dhënave të plota, dëshmitë dhe vlerësimet nga organizatat dhe shërbimet e inteligjencës tregojnë se gjakderdhja tejkalon çdo valë të mëparshme protestash.
Fillimisht, zyrtarët iranianë kishin pranuar shkaqet ekonomike të trazirave që shpërthyen në fund të dhjetorit. Por, teksa presioni mbi regjimin u rrit, retorika u ashpërsua. Kreu i gjyqësorit paralajmëroi se nuk do të kishte asnjë butësi për ata që “ndihmojnë armiqtë e Republikës Islamike”, ndërsa zyrtarët e lartë – siç bëri vetë udhëheqësi suprem fetar, Ajatollah Ali Khamenei – folën për luftë kundër “terroristëve të sponsorizuar nga të huajt”.
Pasditen e 8 janarit, mijëra iranianë dolën në rrugë në të gjithë vendin, nga Teherani dhe Isfahani në qytetin fetar të Mashhadit dhe dhjetëra të tjerë më të vegjël, duke brohoritur slogane për rënien e Republikës Islamike dhe “Vdekje diktatorit”. Këtë herë, forcat e regjimit ishin të përgatitura të përgjigjeshin më me vendosmëri, edhe nëse kjo do të thoshte të angazhoheshin në një masakër. Njësitë e Gardës Revolucionare dhe milicisë paramilitare Basij, shpesh me rroba civile, u vendosën masivisht dhe të armatosur me kallashnikovë, ndërsa në një lagje perëndimore të Teheranit u pa edhe një mitraloz i rëndë në një kamionçinë.
Aminian u nis nga shkolla e saj për në demonstratë me miqtë e saj. Rreth orës 8:30 të mbrëmjes, autoritetet ndërprenë internetin në të gjithë vendin dhe përshkallëzuan masat e rrepta.
“Jemi mjaft të sigurt se ka pasur një masakër që nga nata e vonë e së enjtes në të gjithë vendin”, – thotë Hadi Ghaemi, drejtor i Qendrës për të Drejtat e Njeriut në Iran me seli në Nju Jork. “Ishte një zonë e zakonshme lufte.”
Një video nga lagjja Nazi Abad tregon protestuesit e bllokuar në një rrugicë të ngushtë, ku dëgjohen të shtëna armësh.
“Nuk po i lënë të largohen. Po i qëllojnë, po i vrasin”, dëgjohet një zë. Në të njëjtën kohë, nëna e Aminian në qytetin e Kermanshah mori një telefonatë nga një shoqe e vajzës së saj, e cila i tha se ajo kishte vdekur. Prindërit mbërritën në Teheran në agim dhe e gjetën Robinën midis qindra trupave, me një plagë plumbi në pjesën e pasme të kokës. Shumë nga viktimat ishin vajza të reja, me plagë në qafë dhe fytyrë.
Pavarësisht urdhrave për t’i lënë trupat atje, nëna e saj e mori fshehurazi trupin dhe ngau makinën për 6 orë me trupin e pajetë të vajzës së saj në sediljen e pasme, duke qarë gjatë gjithë rrugës. Skena të ngjashme u zhvilluan në të gjithë vendin. Në Mashhad, mes viktimave ishte edhe skulptori 50-vjeçar Mahdi Salahshour, baba i dy fëmijëve. Në portin e Bushehr, një burrë dhe një grua u qëlluan për vdekje pranë një xhamie, duke lënë pas dy fëmijë të vegjël.
Vlerësimet e numrit të të vdekurve ndryshojnë në mënyrë dramatike, nga “qindra” të pranuara nga Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, deri te “mijëra” të pretenduara nga organizatat dhe agjencitë e inteligjencës. Aktivistët e të Drejtave të Njeriut në Iran raportojnë më shumë se 2600 vdekje dhe mbi 18 400 arrestime që nga fundi i dhjetorit, duke e bërë goditjen aktuale më vdekjeprurëse që nga vitet 1980.
Udhëheqja e Iranit nuk e ka mbajtur sekret qëndrimin e saj të ashpër. Khamenei i quajti protestuesit “agjentë armiq” dhe u bëri thirrje forcave të sigurisë të veprojnë “me gjithë fuqinë e tyre”, ndërsa prokurori paralajmëroi se ata që shkatërrojnë pronën ose marrin armët mund të akuzohen si “armiq të Zotit” – një krim i dënueshëm me vdekje.
Nata kur Robina Aminian nuk u kthye më në shtëpi: Si u ekzekutua
Familjes së Robina Aminian nuk iu lejua ta vajtonte. Vajza e re u varros në një varr të pashënuar pranë Kermanshah. Kur nëna e saj u kthye në shtëpi, ajo gjeti forcat e sigurisë duke e vëzhguar. “Nëna nuk mund të shkojë më askund”, – tha xhaxhai i Robinës. “Ata e ndjekin si një hije.”
