
BKH dhe Policia bastisin 6 ambiente në Tiranë, hetim i përbashkët me autoritetet italiane për mashtrime me call center
Një operacion i gjerë i ndërmarrë nga Prokuroria e Posaçme ka çuar në arrestimin e 10 personave dhe shpalljen në kërkim të dy biznesmenëve, të dyshuar si pronarë të disa call centerave që operonin në Tiranë. Aksioni është zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet italiane dhe ka përfshirë kontrolle intensive në disa ambiente të kryeqytetit.
Burime nga hetimi bëjnë me dije se strukturat e SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, me mbështetjen e Policisë së Shtetit, kanë ushtruar kontrolle në një ambient të marrë me qira brenda një qendre tregtare në qendër të Tiranës, përballë Kishës Ortodokse. Ambienti dyshohet se funksiononte si call center dhe i përkiste një shtetasi italian, në bashkëpunim me një ortak shqiptar.
Kontrolle janë kryer edhe në një tjetër objekt të ndodhur pranë Gjykatës së Lartë, me synimin për gjetjen dhe sekuestrimin e materialeve dhe pajisjeve që lidhen me hetimin për mashtrime të qytetarëve të Bashkimit Europian përmes thirrjeve telefonike.
Sipas të dhënave paraprake, deri më tani janë bastisur gjithsej gjashtë ambiente, ndërsa gjatë kontrolleve janë sekuestruar kompjutera, dokumente dhe pajisje të tjera elektronike që pritet t’i shërbejnë hetimit. Operacioni është zhvilluar pas autorizimit të dhënë nga Gjykata e Posaçme, pas kërkesës së Prokurorisë.
Hetimi po ndiqet nga një ekip i përbashkët, ku përfshihet një prokuror shqiptar dhe një prokuror i huaj, çka tregon përmasën ndërkombëtare të çështjes. Gjatë aksionit kanë qenë të pranishëm edhe kameramanë të emisionit investigativ italian Le Iene, të cilët po dokumentojnë zhvillimet e hetimit.
Në terren ka qenë i pranishëm edhe drejtori i BKH-së, Jon Keta, duke theksuar rëndësinë dhe ndjeshmërinë e këtij operacioni për strukturat e reja të drejtësisë shqiptare. Kontrollet janë shtrirë për disa orë dhe janë shoqëruar me prezencë të shtuar të forcave të policisë.
SPAK nuk ka dhënë ende një njoftim të detajuar zyrtar mbi akuzat konkrete, por burimet bëjnë me dije se hetimi lidhet me skema mashtrimi ndaj qytetarëve të vendeve të Bashkimit Europian, përmes call center-ave që operonin në mënyrë të paligjshme në Shqipëri.
