
Ministria e Brendshme publikon udhëzuesin për shtetasit e huaj, parashikohen detyrime të reja për qëndrimin dhe punësimin
Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës ka njoftuar se duke filluar nga data 15 mars do të hyjnë në fuqi rregulla të reja për hyrjen dhe qëndrimin e shtetasve të huaj në Republikën e Kosovës. Për këtë qëllim, ministria ka publikuar një dokument udhëzues informues, i cili përcakton qartë detyrimet ligjore gjatë hyrjes, qëndrimit dhe punësimit në vend.
Sipas njoftimit zyrtar, çdo shtetas i huaj që hyn në Kosovë duhet të disponojë një dokument të vlefshëm udhëtimi, vizë ose leje qëndrimi kur kjo kërkohet, si dhe të respektojë qëllimin dhe afatin e qëndrimit të deklaruar. Po ashtu, detyrimisht duhet të lajmërohet adresa e qëndrimit brenda tre ditësh nga hyrja në territorin e Kosovës.
Ministria thekson se shtetasit e huaj janë të detyruar të respektojnë ligjet e Republikës së Kosovës dhe të mos përbëjnë rrezik për sigurinë, rendin publik apo shëndetin e qytetarëve.
Sipas rregullave të reja, qëndrimi afatshkurtër lejohet deri në 90 ditë brenda një periudhe 180-ditore, pa të drejtë punësimi pa leje pune. Çdo qëndrim që tejkalon këtë afat kërkon aplikim për lejeqëndrim.
Për qëllime punësimi, shtetasit e huaj duhet të pajisen me leje qëndrimi të përkohshme dhe leje pune, ndërsa ushtrimi i aktivitetit pa këto dokumente është i ndaluar. Gjithashtu, për qëndrime për studime, ribashkim familjar, arsye humanitare apo kërkime shkencore, kërkohet pajisja me lejeqëndrim të përkohshëm dhe përmbushja e kritereve përkatëse ligjore.
Aplikimet për leje mund të bëhen në misionet diplomatike të Kosovës jashtë vendit ose në Departamentin për Shtetësi, Azil dhe Migracion, në rastet kur nuk kërkohet vizë hyrëse.
Ministria ka paralajmëruar se mosrespektimi i këtyre rregullave do të shoqërohet me masa ligjore, që përfshijnë gjoba, anulim të lejeqëndrimit, urdhër largimi apo ndalim të hyrjes në Republikën e Kosovës.
