
Struktura e pasluftës për Gazën, e kryesuar nga Donald Tramp, përfshin figura kyçe amerikane dhe ndërkombëtare, me role në qeverisje, siguri dhe rindërtim
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Tramp, ka zbuluar përbërjen e plotë të “Bordit të Paqes”, një organ i ri dhe i diskutueshëm që synon të mbikëqyrë qeverisjen, sigurinë dhe rindërtimin e Gazës pas luftës. Bordi do të drejtohet nga vetë Tramp dhe përbëhet nga figura të fuqishme amerikane, diplomatë të huaj dhe një emër britanik që vazhdon të ndajë opinionin në Lindjen e Mesme.
Ja kush janë anëtarët dhe pse secili emër ka rëndësi.
Kryetar: Donald Tramp
Presidenti amerikan ka bërë publik listën e plotë të bordit, duke e vendosur veten në krye të tij. Sipas Shtëpisë së Bardhë, ky organ do të ketë rol qendror në drejtimin strategjik të Gazës në periudhën e pasluftës, duke koordinuar qeverisjen, sigurinë dhe proceset e rindërtimit.
-
Tony Blair
Ish-kryeministri britanik Tony Blair ka marrë një nga rolet më të spikatura në bord. Përfshirja e tij është diskutuar për muaj të tërë përpara se Trump ta zyrtarizonte. Blair është i vetmi anëtar themelues i bordit ekzekutiv që nuk është shtetas amerikan. Ai mbetet një figurë thellësisht përçarëse në Lindjen e Mesme për shkak të rolit të tij në pushtimin e Irakut në vitin 2003. Vetë Trump ka pranuar më herët ndjeshmëritë rreth emërimit të tij, duke thënë se dëshironte të sigurohej që Blair të ishte një zgjedhje e pranueshme për të gjithë. Pas largimit nga detyra në vitin 2007, Blair u përqendrua për vite me radhë në diplomacinë izraelito-palestineze si përfaqësues i Kuartetit. -
Marco Rubio
Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio do të ankorojë politikisht bordin si diplomati kryesor i SHBA. Përpara rikthimit të Trump në detyrë, Rubio ishte hapur kundër një armëpushimi në Gazë dhe mbështeste përpjekjet e Izraelit për të shkatërruar Hamasin, duke deklaruar se Tel Avivi duhej të eliminonte çdo element të tij. Pas armëpushimit të tetorit, toni i Rubio ka ndryshuar, duke e quajtur marrëveshjen opsionin e vetëm të zbatueshëm në tryezë. -
Steve Witkoff
Miliarderi i pasurive të paluajtshme i kthyer në diplomat, Steve Witkoff, është shndërruar në negociatorin kryesor të Trump. Ai njoftoi më herët këtë muaj fazën e dytë të planit për Gazën, duke kaluar nga zbatimi i armëpushimit te rindërtimi dhe çarmatimi i Hamasit. Witkoff ka paralajmëruar se mosrespektimi i këtij procesi do të sjellë pasoja serioze. -
Jared Kushner
Dhëndri i Trump, Jared Kushner, është gjithashtu pjesë e Bordit të Paqes për Gazën. Ai ka pasur më herët rol kyç në negociatat e politikës së jashtme të administratës Trump. Kushner mori pjesë në takimin e parë të komitetit teknokratik palestinez për Gazën në Kajro dhe ka punuar ngushtë me Witkoff si për Gazën ashtu edhe për Ukrainën. Në nëntor, ai u takua me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu për të diskutuar pikat më delikate të marrëveshjes së paqes. Megjithatë, deklaratat e tij të mëparshme, ku e përshkruante bregdetin e Gazës si pronë të vlefshme buzë detit, mbeten shumë të diskutueshme. -
Ajay Banga
Presidenti i Bankës Botërore Ajay Banga do të ketë gjithashtu një vend në bord. I lindur në Indi dhe më pas i natyralizuar si shtetas amerikan, Banga drejtoi Mastercard si CEO për më shumë se një dekadë, përpara se të emërohej nga Joe Biden në krye të Bankës Botërore në vitin 2023. Roli i tij pritet të fokusohet te financimi, investimet dhe rindërtimi në shkallë të gjerë. -
Marc Rowan
Marc Rowan është CEO miliarder i Apollo Global Management dhe është përmendur më herët si një kandidat i mundshëm për postin e sekretarit amerikan të Thesarit. -
Robert Gabriel
Robert Gabriel ka punuar me Trump që nga fushata e vitit 2016 dhe aktualisht shërben në Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Ai është anëtari i fundit i bordit ekzekutiv themelues. -
Nickolay Mladenov
Ish-i dërguari i OKB-së Nickolay Mladenov do të veprojë si përfaqësues i bordit brenda Gazës. Si Përfaqësues i Lartë për Gazën, ai do të jetë lidhja në terren mes Bordit të Paqes dhe Komitetit Kombëtar për Administrimin e Gazës, duke mbikëqyrur qeverisjen, rindërtimin dhe zhvillimin, si dhe duke garantuar koordinimin mes shtyllave civile dhe atyre të sigurisë. -
Ali Sha’ath
Ali Sha’ath, vendas nga Gaza dhe ish-zëvendësministër i Autoritetit Palestinez, do të drejtojë Komitetin Kombëtar për Administrimin e Gazës. Ky komitet u mblodh për herë të parë në Kajro dhe planifikon të zhvendoset në Gazë në javët në vijim, nëse kushtet e sigurisë e lejojnë. Sipas Shtëpisë së Bardhë, Ali Sha’ath do të mbikëqyrë rikthimin e shërbimeve publike bazë, rindërtimin e institucioneve civile dhe stabilizimin e jetës së përditshme, duke hedhur themelet për një qeverisje afatgjatë dhe të vetëqëndrueshme në Gazë.
