
Ngjarja ndodhi në një burg në shtetin e Uashingtonit; autoritetet pranojnë dështim në verifikimin e lidhjes mes dy të dënuarve
Një ngjarje e rëndë është regjistruar në një burg në shtetin e Uashingtonit, ku një i burgosur ka vrarë shokun e qelisë pasi ka zbuluar se ai ishte personi që, vite më parë, kishte përdhunuar motrën e tij kur ajo ishte e mitur. Bëhet fjalë për Shane Goldsby, i cili u shpall fajtor për vrasjen e të dënuarit 70-vjeçar Robert Munger në ambientet e Airway Heights Corrections Center.
Sipas autoriteteve amerikane, ngjarja ka ndodhur më 2 qershor 2020 dhe është regjistruar nga kamerat e sigurisë së burgut. Goldsby, në atë kohë 25 vjeç, kishte reaguar pasi kishte kuptuar se po ndante të njëjtën qeli me njeriun që kishte abuzuar seksualisht motrën e tij të vogël në të kaluarën.
Robert Munger po vuante një dënim 43-vjeçar për krime të rënda seksuale ndaj fëmijëve, përfshirë përdhunim, ngacmim seksual dhe posedim të materialeve me përmbajtje pedofilike. Goldsby, nga ana tjetër, ndodhej në burg për vjedhjen e një automjeti policie.
Sipas dëshmive të dhëna më vonë, Goldsby kishte kërkuar disa herë të transferohej në një qeli tjetër sapo kuptoi me kë ishte vendosur, por kërkesat e tij nuk u morën parasysh. Ai ka deklaruar gjithashtu se kishte shtypur butonin e emergjencës në qeli para incidentit, por asnjë gardian nuk kishte reaguar.
Situata, sipas tij, ishte përkeqësuar edhe më tej kur Munger kishte filluar të fliste hapur për krimet e tij, duke përshkruar detaje që, sipas Goldsby, e kishin çuar në një gjendje të rëndë psikologjike.
Një hetim i brendshëm zbuloi se, për shkak të mbiemrave të ndryshëm dhe mungesës së informacionit të plotë në sistem, autoritetet e burgut nuk kishin identifikuar lidhjen familjare mes Goldsby dhe viktimës së krimeve të mëparshme seksuale. Washington Department of Corrections e përshkroi rastin si një incident të ndërlikuar dhe fatkeq, duke pranuar se protokollet e vendosjes së të burgosurve në qeli nuk funksionuan siç duhej.
Në gusht të vitit 2021, Goldsby u dënua me 298 muaj burg, afro 25 vjet shtesë, për vrasjen. Gjatë seancës gjyqësore, ai shprehu pendesë ndaj familjes së viktimës, përmes një deklarate të lexuar nga avokati i tij, duke kërkuar falje për pasojat e veprimeve të tij.
Gjatë procesit gjyqësor doli në pah edhe e kaluara e vështirë e Goldsby, i cili kishte përjetuar abuzime të rënda në fëmijëri, ishte rritur në familje kujdestare dhe kishte pasur probleme të vazhdueshme me drogën dhe shëndetin mendor.
Rasti ka ngritur pikëpyetje serioze mbi sigurinë në burgje dhe mbi mënyrën se si autoritetet verifikojnë historitë dhe lidhjet e të burgosurve përpara se t’i vendosin ata në të njëjtat ambiente, duke nxitur debate të forta në opinionin publik amerikan.
