
Operacioni Target i Policisë së Fierit çon në pranga një të ri të dyshuar për shpërndarje të kanabisit në doza, pas një hetimi gjashtëmujor
Një 31-vjeçar është vënë në pranga nga Policia e Fierit, pasi dyshohet se ushtronte veprimtarinë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza në qytet. Bëhet fjalë për Frans Begaj, banues në Fier, të cilit iu gjetën dhe iu sekuestruan doza kanabisi të gatshme për shitje.
Arrestimi u krye në kuadër të operacionit policor të koduar Target, i zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Prokurorinë dhe me mbështetjen e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Fier. Hetimi ndaj 31-vjeçarit ishte ndjekur për rreth gjashtë muaj me metoda speciale.
Sipas policisë, gjatë momentit të kapjes, si edhe gjatë kontrollit të banesës, shërbimet konstatuan dhe sekuestruan sasi kanabisi të ndara në doza dhe të përgatitura për shpërndarje. Nga veprimet hetimore rezulton se i riu siguronte lëndën narkotike, e përpunonte dhe më pas e shiste në zona të ndryshme të qytetit të Fierit.
Bazuar në provat e administruara, Gjykata e Fierit ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë arrest me burg për veprën penale prodhimi dhe shitja e narkotikëve. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.
