
Çmimet e reja të referencës për pasuritë e paluajtshme pritet të godasin fort ndërtuesit dhe blerësit, veçanërisht në zonat bregdetare dhe në Kamëz
Referencat e reja për pasuritë e paluajtshme, që kanë hyrë në fuqi nga 1 janari 2026, po sjellin një rritje të ndjeshme të kostove të ndërtimit, duke ushtruar presion të drejtpërdrejtë mbi çmimet finale të apartamenteve. Sipas Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë, rritja e çmimeve të referencës shoqërohet automatikisht me shtim të taksës së ndikimit në infrastrukturë, duke e bërë ndërtimin më të kushtueshëm për subjektet ndërtuese.
Ndikimi më i fortë pritet të ndihet në zonat bregdetare, ku në disa raste rritja e çmimeve të referencës arrin nivele shumë të larta. Në zonën e Portit të Durrësit, rritja raportohet deri në 196%, ndërsa në Vlorë, Sarandë dhe Himarë shifrat shkojnë deri në rreth 79 % në zona të caktuara. Harta e re kadastrale zgjeron gjithashtu numrin e zonave nga 65 në 119, duke shtuar 54 zona të reja referimi.
Shoqata e Ndërtuesve paralajmëron se kjo rritje e kostove do të reflektohet në mënyrë të pashmangshme te çmimi përfundimtar i banesave, pasi baza e llogaritjes së taksave lidhet drejtpërdrejt me çmimin referues për metër katror. Sipas ndërtuesve, barra financiare nuk mund të përballohet vetëm nga subjektet dhe do të transferohet te blerësit.
Në bregdet, tregu pritet të mbetet aktiv për shkak të kërkesës së lartë nga të huajt dhe diaspora, të cilët përbëjnë mbi 60 % të blerjeve. Parashikimet flasin për rritje vjetore të çmimeve nga 4 deri në 12 %, të paktën deri në vitin 2030, në varësi të zonës.
Ndryshe paraqitet situata në Tiranë, ku oferta e lartë ka krijuar shenja mbingopjeje të tregut. Agjentët imobiliarë presin një stabilitet relativ të çmimeve gjatë vitit 2026, ndërsa kërkesa po zhvendoset gjithnjë e më shumë drejt zonave periferike si Kamza dhe Paskuqani, ku çmimet mbeten më të përballueshme, edhe pse të ndikuara nga rritja e referencave.
