Bota Uncategorized

Në Kubë, të burgosurit prodhojnë puro për eksport

Një organizatë spanjolle për të drejtat e njeriut ka bërë publik një raport ku thuhet se të burgosur në Kubë detyrohen të prodhojnë puro dhe qymyr druri për eksport, shpesh nën kushte të vështira dhe me pagesa simbolike.

Sipas Prisoners Defenders, një OJQ me seli në Madrid, janë analizuar shtatë burgje në Kubë ku janë ngritur qendra prodhimi të purove. Të dhënat tregojnë se rreth 7,5% e prodhimit total të purove për eksport vjen nga puna e të burgosurve, të cilët paguhen vetëm 3 mijë peso kubane (rreth 7 dollarë sipas kursit informal). Për krahasim, paga mesatare në Kubë është 6 mijë peso, ndërsa një punonjës profesionist i ndërmarrjes shtetërore Tabacuba mund të fitojë deri në 25 mijë peso.

Raporti thekson se të burgosurit punojnë deri në 10 orë në ditë, pa kushte të përshtatshme pune, shpesh me ushqim të pamjaftueshëm, dhe janë të ekspozuar ndaj trajtimeve arbitrare nga rojet.

Në vitin 2024, shitjet e purove kubane arritën në 827 milionë dollarë, duke e bërë këtë sektor një shtyllë të ekonomisë kubane, e cila prej pesë vitesh gjendet në krizën më të rëndë që prej tre dekadash. Në mungesë të fuqisë punëtore, për shkak të emigrimit masiv, autoritetet mbështeten gjithnjë e më shumë te puna e të burgosurve.

Përveç purove, të burgosurit kubanë përdoren edhe në sektorë të tjerë ekonomikë, si prodhimi i qymyrit drusor, prerja e kallamit të sheqerit dhe bujqësia. Vetëm në vitin 2023, sipas OJQ-së, të burgosurit prodhuan qymyr drusor me vlerë 61,8 milionë dollarë.

Raporti bazohet në dëshmi të 53 të burgosurve dhe mbi 110 intervista shtesë. Nga këto të dhëna, organizata vlerëson se 60 mijë nga 90 mijëtë burgosurit në Kubë i nënshtrohen punës së detyruar. Disa të burgosur ose familjarë të tyre kanë deklaruar se puna është “vullnetare”, por të tjerë flasin për shfrytëzim dhe trajtime të padrejta nga administrata e burgjeve.

Autoritetet kubane nuk kanë dhënë asnjë reagim mbi këto akuza.

LEAVE A RESPONSE

Your email address will not be published. Required fields are marked *